7 perditesime
19:59

Debutim ëndrrash për Giressen, Kosova deklasoi Burkina Fason

Kosova e ka shënuar fitoren më të thellë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe të parën pas gjashtë ndeshjeve.

“Dardanët” e kanë deklasuar Burkina Fason të enjten mbrëma, duke e mposhtur me rezultatin 5:0, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në Prishtinë.

Me të njëjtin rezultat Kosova e kishte mposhtur Maltën si mysafire, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Fidan Aliti (3’), Astrit Selmani (23’), Mërgim Vojvoda (53’), Milot Rashica (68’) dhe Toni Domgjoni (75’) realizuan golat e fitores së thellë.

Te goli i parë asistoi Edon Zhegrova, kurse dy asistime i bëri Milot Rashica, te goli i dytë dhe i tretë.

Te goli i pestë asistues ishte Zymer Bytyqi.

Te Kosova debutoi trajneri francez Alain Giresse. Ndërkaq tre lojtarë shënuan gola për herë të parë me fanellën e “Dardanëve”: Fidan Aliti, Astrit Selmani dhe Toni Domgjoni.

Debutoi edhe Lumbardh Dellova.

Milot Rashica shënoi golin e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Portieri Samir Ujkani pati një ndër paraqitjet më të mira te përfaqësuesja. Ai priti penalltinë e Edmond Tapsobas në minutën e 65-të.

Kosova ishte pa fitore në gjashtë ndeshje, ku kishte pësuar katër humbje dhe kishte dy barazime. Triumfi i fundit ishte arritur në shtator të vitit të kaluar kundër Gjeorgjisë.

Me 29 mars, Kosova do të jetë mysafire e Zvicrës në Cyrih.

19:36

Kosova thellon epërsinë

Toni Domgjoni ka shënuar një gol të bukur nga një kënd shumë i vështirë.

Domgjoni realizoi në minutën e 75-të për rezultatin 5:0 ndaj Burkina Fasos.

Pak minuta më parë, Rashica realizoi për 4:0, derisa portieri Samir Ujkani priti një penallti të mysafirëve.

19:29

Rashica shënon gol, Kosova udhëheq 4:0

Milot Rashica ka shënuar gol për Përfaqësuesen e Kosovës, që është duke fituar ndaj Burkina Fasos në miqësore me rezultatin 4:0.

Rashica shënoi në minutën e 69-të pas një kundërsulmi të shpejtë.

Mesfushori Ibrahim Dresheviq pasoi bukur për të, ndërsa futbollisti i Norwichit në Premier League, nuk gaboi përballë portierit.

Ky ishte goli i parë për Rashicën me “Dardanët” që prej 4 qershorit të vitit 2021, kur kishte shënuar dy gola kundër Maltës.

19:28

Kosova ruan epërsinë prej 3:0, Ujkani pret penalltinë

Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ka arritur të presë një penallti në miqësoren ndaj Burkina Fasos, që po zhvillohet në Prishtinë.

Ujkani ia ndali gjuajtjen Edmond Tapsobas në minutën e 65-të.

Penalltinë e shkaktoi mbrojtësi Lirim Kastrati në Bryan Dabon.

Kosova vazhdon të mbajë epërsinë prej 3:0.

19:16

Kosova shënon golin e tretë ndaj Burkina Fasos

Kosova e ka nisur mbarë edhe pjesën e dytë kundër Burkina Fasos, në miqësoren që po zhvillohet në Prishtinë.

Në minutën e 53-të, “Dardanët” kanë shënuar golin e tretë nëpërmjet Mërgim Vojvodës.

Aksioni nisi nga Zhegrova, i cili gjeti bukur Rashicën e ky pasoi te Vojvoda, që nuk e pati të vështirë të realizoi.

Për Rashicën ishte asistimi i dytë në këtë ndeshje. Ndërkohë Zhegrova asistoi te goli i parë dhe ishte i përfshirë te goli i dytë dhe i tretë.

18:56

Kosova shkon në pushim me epërsinë e dy golave

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mbyllur pjesën e parë kundër Burkina Fasos me epërsinë e dy golave (2:0).

Fidan Aliti në minutën e tretë realizoi një gol të bukur për 1:0, ndërkohë Astrit Selmani në minutën e 23-të, po ashtu me gol të bukur, shënoi për 2:0.

Te goli i parë asistoi Edon Zhegrova, kurse te goli i dytë asistues ishte Rashica.

Aliti dhe Selmani shënuan golat e parë me fanellën e Kosovës.

Raste shënimi kishin edhe mysafirët, por portieri Samir Ujkani bëri disa intervenime të mira.

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse ka vendosur për një formacion eksperimentues.

Kjo ndeshje miqësore po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

18:25

Kosova dyfishon epërsinë ndaj Burkina Fasos

Kosova ka dyfishuar epërsinë kundër Burkina Fasos. Golin e dytë për “Dardanët” e realizoi Astrit Selmani në minutën e 23-të.

Selmani shënoi me një goditje të bukur pas asistimit të Rashicës.

Për Selmanin është goli i parë me Kosovën.

18:10

Kosova në avantazh kundër Burkina Fasos

Fidan Aliti ka shënuar gol për epërsinë e Kosovës (1:0) në miqësoren kundër Burkina Fasos, që është duke u zhvilluar në Prishtinë.

Aliti në minutën e tretë, në mënyrë të përkryer, shënoi me goditje volej pas harkimit të Edon Zhegrovës.