Mesfushori Kastriot Imeri ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojë në Bundesligë. Madje, gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar se Eintracht Frankfurti po shihet favorit për transferimin e Imerit.
Mësohet se ekipi gjerman tashmë po bën gati ofertën për ta bindur skuadrën e Servettet për lirimin e tij. Për ta siguruar Imerin për edicionin e ardhshëm, Eintracht Frankfurti është i gatshëm të ofrojë mbi pesë milionë euro për mesfushorin e talentuar.
Imeri 21-vjeçar është njëri prej lojtarëve më të dalluar në elitën e futbollit zviceran. Fillimisht Frankfurti kishte dërguar skautët për ta përcjellë Imerin në ndeshjen kundër Sionit më 20 mars, të cilën e ka fituar Servette. Në atë takim Imeri edhe një herë tregoi klasin e tij duke shënuar gol për Servetten, gjë që u mjaftoi skautëve të ekipit gjerman për ta dhënë konfirmimin për blerjen e kosovarit në verë. Në atë ndeshje Imeri ishte fantastik në çdo aspekt, sidomos në aspektin teknik ku e mposhti portierin kundërshtar me një parabolë.
Me golin e shënuar Imeri ngriti në këmbë shikuesit e mbledhur në tribunat e “Stade de Geneve”, përfshirë edhe skautin e Eintracht Frankfurtit. Për Imerin ishte goli i dhjetë këtë edicion në 20 ndeshje kampionale. Në total, Imeri ka 24 paraqitje në të gjitha garat, ku krahas dhjetë golave ka bërë edhe tri asistime.
Në të vërtetë, Servette e ka mundësinë e fundit për të fituar para nga shitja e Imerit për shkak se mesfushori ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Për Imerin pati interesim edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por ai ishte i vendosur të mbetej deri në fund të edicionit te Servette. Ishte skuadra nga Serie A, Genoa, që kishte ofruar pesë milionë euro dëmshpërblim.
“Fakti që nuk u largova në janar dhe jam ende te Servette, do të thotë se më duhet të punoj edhe pak më shumë përpara se ta bëj këtë hap në karrierë. Dua të largohem nga Servette përmes derës së madhe. Ky është ekipi i qytetit tim, ekipi në të cilin jam rritur. Disa klube e kontaktuan Servetten në janar dhe mund të largohesha, por vendosa të qëndroj deri në fund të kampionatit për të marrë më shumë përvojë”, ka thënë Imeri, i cili prej edicionit 2017/18 është pjesë e ekipit të parë të Servettes.
Bëhet e ditur se krahas Eintrachtit, ekip që këtë edicion po luan në çerekfinale të Ligës së Evropës, Imerin po e kërkojnë edhe në Ligue 1. Është skuadra e Nices që ka shprehur interesim për transferimin e tij në verë. Mirëpo, duket se Imerit më shumë i përshtatet Bundesliga.
“Bundesliga më përshtatet, por është herët të flitet”, është shprehur ai.
Imeri, i cili ka 14 paraqitje dhe tre gola me Përfaqësuesen U21 të Zvicrës, në nëntor të vitit të shkuar ka debutuar edhe me përfaqësuesen A. Ai luajti 21 minuta në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Italisë, që përfundoi 1:1. Imeri është në mesin e kandidatëve potencialë për t’u ftuar nga përzgjedhësi Murat Yakin për Botërorin e Katarit që nis në muajin nëntor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.