Irani shpreson të presë vizitorë që dynden në Katarin e afërt për ta përcjellë Kampionatin Botëror që mbahen në fund të këtij viti, me zyrtarët e shtetit që kanë rritur numrin e fluturimeve dhe po përgatisin hotelet për një fluks të tifozëve të futbollit, ka shkruar AFP.
“Katari është shumë i interesuar për të përdorur infrastrukturën e Iranit në Kupën e Botës të këtij viti”, ka thënë ministri i Transportit të Iranit, Rostam Ghassemi. “Irani duhet të përdorë të gjitha aftësitë që ka për të përfituar nga kjo ngjarje që mund të sjellë një fluks të tifozëve”.
Të dielën dhe të hënën, ministri i Transportit i Katarit, Jassim bin Saif al-Sulaiti, vizitoi ishullin Kish të Iranit - 270 kilometra në verilindje të Dohas - dhe nënshkroi gjashtë marrëveshje bashkëpunimi. Kish, një ishull turistik me 92 kilometra katrorë me plazhe me rërë të bardhë, është një fluturim 40-minutash ose gjashtë orë udhëtim me varkë nga Doha. Kryesorja midis marrëveshjeve ishte një marrëveshje për të rritur fluturimet midis vendeve, duke u rritur nga 72 aktualisht në potencialisht deri në 200 në ditë, tha Mohammad Mohammadi, kreu i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit. Ministri i Transportit i Katarit vizitoi terminalin e pasagjerëve të Aeroportit Ndërkombëtar të ishullit Kish, i cili është në ndërtim e sipër, si dhe portin tregtar dhe atë të pasagjerëve.
“Kontributi i Iranit në Kupën e Botës do të jetë në fushën e transportit ajror dhe atij detar dhe në akomodimin e pasagjerëve të huaj dhe iranianë”, tha Ghassemi. “Ne gjithashtu planifikojmë t'u ofrojmë fansave dhe turistëve të huaj gjatë qëndrimit të tyre në Iran mundësinë për të vizituar xhevahiret turistike të vendit”.
Për të inkurajuar udhëtimin, Irani mund të heqë vizat për vizitorët që vijnë nga Katari.
“Ministria e Punëve të Jashtme mund të dakordohet që të heqë vizat për udhëtim nga Katari për dy muaj gjatë Kupës së Botës, e cila përfundon më 18 dhjetor”, tha Leila Azhdari, nga Ministria e Turizmit e Iranit.
Vizitorët mund të aplikojnë për leje të vetme ose me shumë hyrje falas për 20 ditë, gjatë këtyre dy muajve të Botërorit. Në muajin janar, Përfaqësuesja e Iranit u kualifikua për herën e tretë rresht në Kampionatin Botëror, dhe të gjashtën në përgjithësi. Irani, i cili kurrë nuk ka avancuar përtej fazës së grupeve, do të përballet me SHBA-në dhe Anglinë në Grupin B.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.