5 perditesime
17:05

Ballkani fiton në fund ndaj Dritës

Skuadra e Ballkanit ka siguruar fitoren në kohën shtesë në duelin kundër Dritës. Ishte Ermal Krasniqi, ai që në minutën e 97-të, ia siguroi fitoren Ballkanit pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistimit të Meriton Korenicës.

Krasniqi shënoi për rezultatin përfundimtar 3:2 të ndeshjes që i takoi xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës.

Të gjithë golat e këtij takimi, u shënuan në pjesën e dytë. Ballkani shënoi i pari dy gola, por Drita u rikthye duke barazuar shifrat në 2:2, përpara se në skenë të dalë Krasniqi që siguroi tri pikët.

Ilir Blakçori (49’) shënoi autogol për të zhbllokuar rezultatin, të cilin e dyfishoi Nazmi Gripshi (54’). Për Dritën, realizuan Almir Kryeziu (78’) e Ardit Tahiri (89’). Me këtë fitore, Ballkani po marshon drejt titullit të parë në histori të klubit. Forcohet në pozitën e parë me 69 pikë të mbledhura, ndërsa Drita mbetet e dyta me 55 pikë.

16:55

Drita barazon rezultatin

Drita ka barazuar rezultatin në 2:2 ndaj Ballkanit.

Në minutën e 89-të ka shënuar sulmuesi Ardit Tahiri me kokë pas harkimit të Përparim Islamit.

Skuadra gjilanase shënoi dy gola të shpejtë për ta shkrirë epërsinë e Ballkanit që e kishte prej 2:0.

16:46

Drita ngushton epërsinë e Ballkanit

Skuadra e Dritës ka ngushtuar në 2:1 epërsinë e Ballkanit në duelin që po luhet në Suharekë. Golin e parë për Dritën në këtë takim e ka shënuar Almir Kryeziu në minutën e 80-të.

Ai pas një depërtimi vetjak nga krahu i majtë, arriti ta mposht portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, për ta zbutur epërsinë e skuadrës vendase.

16:18

Ballkani dyfishon epërsinë

Skuadra e Ballkanit ka dyfishuar epërsinë ndaj Dritës. Katër minuta pas autogolit të Ilir Blakçorit që zhbllokoi rezultatin, Ballkani ka shënuar edhe golin e dytë.

Këtë herë, golashënues ishte mesfushori ofensiv Nazmi Gripshi.

Ai përfitoi nga një gabim i portierit të Dritës, Faton Maloku për ta dërguar topin në rrjetë në minutën e 54-të.

16:17

Ballkani kalon në epërsi

Me të filluar pjesa e dytë, Ballkani ka kaluar në avantazh në derbin ndaj Dritës.

Në minutën e 50-të, u zhbllokua rezultati i ndeshjes që po luhet në Suharekë dhe i takon xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Mbrojtësi i Dritës, Ilir Blakçori, shënoi gol nga afërsia pas depërtimit të Ermal Krasniqit nga krahu i majtë dhe gjuajtjes së tij përtokë.

15:54

Pa gola në pjesën e parë mes Ballkanit e Dritës

Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Ballkanit dhe Dritës. Kjo ndeshje po luhet në Suharekë dhe i takon xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës.

Gjatë 45 minutave të para, rastin më të mirë e ka lëshuar Ballkani.

Në minutën e 33-të, mesfushori Meriton Korenica e qëlloi traversën nga gjuajtja e lirë.