Herën e fundit që Juventusi e mbylli sezonin pa trofe, Milani e fitoi titullin e kampionit në Serie A dhe Interi triumfoi në Kupën e Italisë. E këtë vit mund të ndodhë një përsëritje e vitit 2011. Dy klubet e qytetit të Milanos po luftojnë për titullin e kampionit të Italisë, me Interin që është dy pikë prapa Milanit, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të këtij sezoni.
Milani pret Atalantën të dielën, pak para se Interi – i nxitur nga fitorja në finalen e Kupën e Italisë ndaj Juventusit të mërkurën – të luajë në udhëtim te Cagliari që rrezikon rënien në Serie B. Ndërkohë, Juventusi përgatitet të mirëpresë Lazion të hënën duke e ditur se një përfundim në vendin e tretë është më i larti që mund të arrijë, dhe madje kjo mund të jetë e paarritshme deri në fillimin e ndeshjes. Të paktën, Juventusi e di se tashmë e ka të sigurt paraqitjen sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.
Kur Massimiliano Allegri u kthye si trajner i Juventusit para fillimit të këtij edicioni, ai supozohej të kthente lavdinë pasi dominimi i skuadrës në Serie A përfundoi në sezonin e vetëm të Andrea Pirlos në krye të ekipit.
Allegri e kishte udhëhequr Juventusin drejt pesë nga nëntë titujt e kampionit rresht - si dhe katër trofe radhazi të Kupës së Italisë – dhe gjithashtu udhëhoqi “Bianconerët” drejt dy finaleve të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, Juventusi do ta mbyllë sezonin pa trofe dhe me pikën më të ulët që nga viti 2011. Pirlo të paktën sezonin e shkuar fitoi Kupën dhe Superkupën e Italisë. Juventusi e humbi Superkupën e Italisë në janar, gjithashtu nga Interi.
“Është e qartë se diçka nuk ka shkuar mirë, por ne e kemi thënë këtë gjatë ditëve të fundit dhe ka pasur përmirësim, por sinqerisht ne jemi ende larg nga skuadra më e fortë që është Interi”, pranoi kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, pas humbjes 4:2 në finalen e së mërkurës mbrëma pas 120 minutash lojë. “Kësaj skuadre i mungon diçka që ka qenë pjesë e Juventusit për kaq shumë vjet dhe duhet të gjendet sërish sa më shpejt të jetë e mundur”.
Chiellini është në gjendje të mirë për të folur për situatën në Juventus, pasi ka qenë në klub që nga viti 2004 dhe ka përjetuar rënien e tij edhe në Serie B pas një skandali me trukime ndeshjesh, si dhe rikthimin e tij për ta dominuar futbollin italian.
“Ka cikle, kjo është pjesë e lojës”, tha mbrojtësi veteran. “Kisha dy vjet që përfundova i shtati kur mbaroi cikli i mëparshëm. Një i ri duhej të lindte, është pjesë e jetës. Ne duhet ta pranojmë këtë, por gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet ta kemi atë energji shtesë që duhet të japim për këtë rifillim. Mendoj se trajneri është personi më i mirë për të transmetuar këtë ADN. Ky klub nuk mund të pranojë ta mbyllë sërish sezonin e ardhshëm pa asnjë trofe”.
Megjithatë, Chiellini nuk do të jetë aty. Mbrojtësi 37-vjeçar tha se ndeshjet kundër Lazios dhe Fiorentinës do të jenë të fundit për të me fanellën e famshme bardh e zi, duke i dhënë fund një karriere plot lavdi prej afro 20 vjetësh, gjatë së cilës ai fitoi 20 trofe.
“Kemi pasur 10 vjet të mrekullueshëm dhe tani është radha e djemve të rinj për të vazhduar”, tha Chiellini, i cili bëri më shumë se 550 paraqitje për Juventusin në të gjitha garat. “Mendoj se kam bërë gjithçka që mund të kisha bërë”.
Chiellini, gjithashtu ndihmoi Italinë të fitonte titullin e Kampionatit Evropian vitin e kaluar dhe do t'i japë lamtumirën përfaqësueses italiane muajin e ardhshëm.
“Të hënën do të festoj dhe do të them lamtumirë në stadiumin tim të Juventusit kundër Lazios dhe më pas, nëse ndihem mirë, do të luaj edhe në Firence, vetëm për të qëndruar në formë për Italinë. Por unë po ua jap stafetën të rinjve”, insistoi Chiellini. “Mendoj se i kam lënë me një trashëgimi dhe jam i lumtur që do të largohem ende në një nivel kaq të lartë. Kanë kaluar kaq shumë vjet që kam thënë se nuk doja të çaloja deri në fund, duke mos i luajtur këto ndeshje në nivelin tim. Kështu që, është me të vërtetë një gëzim i madh. Me qetësi largohem nga ky klub dhe së shpejti do të jem tifozi i tij më i madh”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.