Chiellini dhe Dybala përshëndeten në stadiumin e Juventusit
Mbrojtësi i njohur italian, Giorgio Chiellini, e ka luajtur ndeshjen e fundit në stadiumin e Juventusit si lojtar i kësaj skuadre. Juve të hënën barazoi 2:2 me Lazion në kuadër të xhiros së parafundit të Serie A. Në xhiron e fundit Juventusi është mysafir i Fiorentinas.
Chiellini nuk pritet të paraqitet në atë takim. Chiellini 37-vjeçar, largohet pas 17 vjetësh nga Juventusi. Ai të hënën u zëvendësua në minutën e 17-të dhe është përshëndetur me tifozët në tribuna të stadiumit në Torino. Tifozët i kanë duartrokitur gjatë, ndërsa atmosfera ishte emocionale. Chiellini vlerësohej për kohë të gjatë prej mbrojtësve më të mirë në botë. Për Italinë i ka luajtur 116 ndeshje.
Ndeshja e së hënës ishte përshëndetëse në stadiumin e Juventusit edhe për sulmuesin Paulo Dybala. Ai është zëvendësuar në minutën e 78-të dhe ka marrë duartrokitje të shumta. Dybala është përqafuar me lojtarë e trajnerë, duke konfirmuar kështu largimin në verë. Edhe Dybala ka dhënë kontribut të madh për Juven, skuadrën dominante në Itali për kohë të gjatë. Dushan Vlahoviq e Avaro Morata shënuan golat për Juventusin. Për Lazion realizoi Patric, kurse në fund edhe Sergej Milinkoviq-Saviq. Barazimi i është dashur Lazios për ta siguruar Evropën. Juventusi është i katërti me 72 pikë. Lazio mban vendin e pestë me 63 pikë, por do të jetë në Evropë edicionin e ardhshëm.