Tifogrupi “Torcida” nga Mitrovica, të enjten ka reaguar ashpër pas vendimit të Komisionit Arbitrar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), i cili zbuti dënimin për skuadrën e Pejës. Në vendimin e lëshuar të enjten pas ankesës së Pejës, Komisioni Arbitrar ka marrë vendim që të shfuqizohet pjesërisht dënimi dhe gjoba e komisarit të garave që e mori të hënën, një ditë pas ndeshjes së tretë të serisë gjysmëfinale të plejofit kundër Trepçës.
Fillimisht, Peja është dënuar që dy ndeshjet e ardhshme si vendas t’i luajë pa praninë e shikuesve dhe kishe marrë një gjobë prej shtatë mijë eurosh. Mirëpo, me vendimin e ri, do të lejohet që 25 për qind e palestrës të mbushet, ndërsa gjoba në të holla është zbutur në tre mijë euro.
Dueli i katërt i kësaj serie gjysmëfinale, do të luhet sonte prej orës 20:30 ndërsa “Torcida” ka njoftuar se nuk i është lejuar të jetë e pranishme në palestër për ta përkrahur Trepçën.
“Nga një vendim i padrejtë dhe tendencioz i FBK-s së bashku me komisionin arbitrar, që brenda ditës ranë në kundërshtim me rregulloret e veta dhe ndërrojnë vendime sipas dëshirave personale dhe klanore. Ne e dimë se janë tendencioze. Iu lejohet prania e tifozëve klubit nikoqir me kinse 25%. Ne si grup i tifozëve edhe zyrtarisht kemi kërkuar pjesëmarrjen në ndeshje, por për fat të keq, përgjigja është negative, duke u arsyetuar në vendimet e komesarit të garave”, thuhet në reagimin e tifogrupit “Torcida” në Facebook.
Pas tri ndeshjeve të luajtura deri më tani, Trepça është në epërsi 2:1 dhe i nevojitet vetëm edhe një fitore për të kaluar në finale të plejofit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.