Tek Interi po duan ta mbajnë sa më gjatë në skuadër qendërmbrojtësin Milan Skriniar. “Gazzetta dello Sport” ka njoftuar të enjten se krerët e Interit i kanë ofruar mbrojtësit kontratë të re për ta bindur që të mbetet në Itali pas interesimit nga Chelsea, Tottenhami e Manchester Unitedi.
Skriniar ka kontratë me Interin deri në vitin e ardhshëm, kurse me kontratën e re ai do të jetë pjesë e ekipit italian deri në vitin 2027.
Në kontratën e re, 27-vjeçarit i është ofruar edhe një pagë vjetore prej 4.5 milionë eurosh.
Skriniar sezonet e fundit është ndër mbrojtësit më të dalluar në Serie A, kurse këtë edicion në 47 ndeshje ka kontribuar me katër gola.