Gjyqtaret femra do të shkruajnë historinë e Kupës së Botës këtë vit duke qenë të pranishme në ndeshjet e një turneu të meshkujve për herë të parë në Katar. Tri gjyqtare femra dhe tri ndihmëse u zgjodhën të enjten nga FIFA në mesin e 129 zyrtarëve të përzgjedhur për detyrën e Kupës së Botës, duke përfshirë një arbitër që shkaktoi polemika kur ndau drejtësinë në një ndeshje kaotike të Kupës së Kombeve të Afrikës në janar, ndërsa vuante nga goditja e të nxehtit. Gjyqtarja franceze, Stephanie Frappart, ka qenë e pranishme tashmë në ndeshjet e meshkujve në kualifikimet e Kupës së Botës dhe në Ligën e Kampionëve, pasi drejtoi finalen e Botërorit të Femrave në vitin 2019. Ajo gjithashtu ndau drejtësinë edhe në finalen e Kupës së Francës për meshkuj këtë muaj.
"Si gjithmonë, kriteri që kemi përdorur është ‘cilësia në radhë të parë’ dhe zyrtarët e përzgjedhur të ndeshjeve përfaqësojnë nivelin më të lartë të arbitrimit në mbarë botën”, tha kryetari i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, i cili drejtoi në finalen e Kupës së Botës në vitin 2002. “Në këtë mënyrë, ne theksojmë qartë se është cilësia ajo që ka rëndësi për ne dhe jo gjinia”.
Salima Mukansanga nga Ruanda dhe Yoshimi Yamashita nga Japonia, janë gjithashtu në listën e 36 gjyqtarëve që përgatiten për 64 ndeshjet e turneut, i cili do të luhet nga 21 nëntor deri në 18 dhjetor të këtij viti. 69 ndihmësit e gjyqtarët përfshijnë femrat Neuza Back nga Brazili, Karen Diaz Medina nga Meksika dhe Kathryn Nesbitt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë do të shpresoja që në të ardhmen përzgjedhja e zyrtareve elitare të femrave për garat e rëndësishme të meshkujve do të perceptohet si diçka normale dhe jo më si sensacionale”, tha Collina.
Në mesin e gjyqtarëve meshkuj është Janny Sikazwe i Zambisë, i cili e përfundoi një ndeshje të fazës së grupeve të Kupës Afrikane pas 85 minutash dhe sërish 13 sekonda para se të përfundonin 90 minutat e parapara, me Malin që mposhti Tunizinë 1:0. Rreth 30 minuta pas ndeshjes, zyrtarët urdhëruan skuadrat të ktheheshin në fushë për të rifilluar lojën, por Tunizia refuzoi. Rezultati u konfirmua më vonë nga Konfederata e Futbollit Afrikan, pavarësisht një proteste zyrtare nga Tunizia. Ndeshja u luajt në vapë dhe në lagështi në Kamerun, dhe Sikazwe më vonë shpjegoi se filloi të hutohej në kushtet intensive. Sikazwe do të jetë i pranishëm në Botërorin e tij të dytë, pasi drejtoi dy ndeshje të fazës grupore në turneun e zhvilluar në Rusi në vitin 2018. Vapa ekstreme në Katar bëri që FIFA të vendosë në vitin 2015 për ta zhvendosur turneun në muajt më të ftohtë në këtë vend. FIFA ka zgjedhur 24 arbitra për të punuar në rishikimin e rasteve diskutabile të ndeshjeve. Sistemi VAR bëri debutimin e tij në vitin 2018.
FIFA tha se 50 treshe gjyqtarë dhe ndihmës filluan përgatitjen në vitin 2019 për detyrën e Kupës së Botës, me projektin e prekur nga kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare gjatë pandemisë COVID-19.
Nga dy arbitra u zgjodhën prej Argjentinës, Brazilit, Anglisë dhe Francës. Të gjithë zyrtarët – të cilët nuk u ndanë në skuadra specifike prej tre vetash – përballen me vlerësime të ardhshme teknike, fizike dhe mjekësore këtë vit, tha FIFA.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.