Sport

Rrahmani u premton tifozëve të Napolit titullin sezonin tjetër

 

Synimi i Napolit për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion në Serie A nuk u arrit. Mirëpo, skuadra e drejtuar nga trajneri Luciano Spalletti arriti shumë synime të tjera në një edicion, i cili mund të konsiderohet plotësisht pozitiv, ka shkruar “Corriere dello Sport” të enjten. Kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri dhe vendi i tretë i blinduar në kampionat pas Milanit e Interi, por mbi Juventusin e vendit të katërt po shihet si sukses i madh nga tifozët napolitanë. Mbi të gjitha, rezultatet e këtij sezoni i kanë bërë ata të ëndërrojnë titullin e kampionit për sezonin e ardhshëm dhe janë të bindur se do ta festojnë këtë sukses së bashku me futbollistët. Për të nënvizuar se titulli në Serie A, i cili i mungon Napolit prej vitit 1990, është prioritet dhe në mendjen e të gjithë lojtarëve, u përkujdes qendërmbrojtësi Amir Rrahmani. Edhe Rrahmani ka pranuar se është i kënaqur me sezonin aktual, i cili mbyllet këtë fundjavë në Itali. Po ashtu, ai thotë se edhe paraqitjet e tij në fushë ishin tejet pozitive.

“Ky është viti i parë që kam luajtur kaq shumë, si me Napolin, ashtu edhe në përfaqësuese. Kam shënuar edhe katër gola dhe ishte një vit shumë pozitiv për mua. Por në përgjithësi sezoni i ekipit ka qenë pozitiv sepse do të jemi sërish në Champions”, ka insistuar Rrahmani, të cilit ndihet keq që nuk e fituan titullin. “Ka keqardhje që nuk e fituam titullin, por sezoni është pozitiv. Sigurisht që ka keqardhje sepse kemi mundur të jemi më lart në tabelë. Ne kemi vuajtur shkaku i disa lëndimeve gjatë muajve, por edhe disa ndeshje në të cilat mund të mblidhnim më shumë pikë. Në pjesën e dytë të kampionatit duhet të kishim fituar disa sfida që na dolën jashtë kontrollit. Na vjen keq sepse do të kishte qenë një ëndërr për ne për ta fituar kampionatin”.