Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, garanton se ai është plotësisht i fokusuar në finalen e Ligës së Kampionëve - Liverpoolitm, dhe jo në transferimin e mundshëm të sulmuesit Kylian Mbappe.
Italiani është bërë trajneri i parë që kualifikohet për herë të pestë në finale të Championsit dhe mund të bëhet i pari që ka ngritur katër herë trofeun më të rëndësishëm evropian për klubet.
E vetmja finale që ai ka humbur në karrierën e tij si trajner është ajo e vitit 2005 kundër Liverpoolit kur ishte në krye të skuadrës së Milanit. Ancelotti po kalon disa ditë të ngarkuara në “Santiago Bernabeu” me Realin, që është i lidhur fort me transferimin e Mbappes si lojtar i lirë.
“Për momentin, unë jam duke menduar vetëm për finalen e Ligës së Kampionëve”, tha Ancelotti të enjten në konferencën për shtyp. “Nuk kam asnjë dyshim për formacionin fillestar”. Real Madridi do të luajë të premten ndeshjen e fundit në La Liga kundër Betisit. Madrilenët kanë fituar titullin për këtë sezon, me Ancelottin duke u bërë trajneri i parë që u shpall kampion në pesë ligat më të mira evropiane.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.