Sheshi i famshëm i qytetit të Milanos “Piazza del Duomo” do të jetë i mbushur me tifozë festues të futbollit të dielën. Mbetet për t’u para nëse sheshi përballë katedrales ikonë të Milanos do të jetë i mbushur me fanella kuqezi te Milanit apo me ato të skuadrës së Interit. Milanit i duhet vetëm një pikë në ndeshjen e tij të fundit për t'i dhënë fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit në Serie A. Ai tashmë ka një epërsi prej dy pikësh në krye të renditjes ndaj kampionit në fuqi, Interi, dhe gjithashtu ka rezultatin më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, nëse dy ekipet përfundojnë më pikë të barabarta.
Milani shkon te Sassuolo në raundin e fundit të këtij sezoni, kurse Interi e pret skuadrën e Sampdorias në të njëjtën kohë.
“Ne jemi shumë afër”, tha trajneri i Milanit, Stefano Pioli, të enjten. “Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin mentalitet, me të njëjtën përgatitje, me të njëjtin përqendrim dhe qetësi që kanë lojtarët e mi, që mendoj se është tipari i tyre më i mirë”.
Milani, i cili ka fituar pesë ndeshjet e fundit të ligës, ka pësuar humbje në dy duelet e fundit ndaj skuadrës së Sassuolos, por të dy duelet ishin të luajtura në stadiumin “San Siro”. Skuadra nuk ka humbur në stadiumin “Mapei” të Sassuolos që nga viti 2016. Milani ka një nga skuadrat më të reja në Serie A, por lojtarët janë ndihmuar nga veteranët si Zlatan Ibrahimoviq e Olivier Giroud.
“Gjëja e habitshme për lojtarët e mi është se ata po tregojnë një nivel pjekurie dhe vetëdijeje”, tha Pioli. “Duhet të shihni jo vetëm se sa shumë punojnë ata, por edhe qetësinë që kanë duke e bërë këtë. Pra, ne po e kapërcejmë presionin që vjen nga tabela dhe rezultatet që nuk i prisnim në fillim të sezonit, por ne po luftojmë tani për tani. Lojtarët e mi janë vërtet të fortë. Ne duhet ta mbajmë këtë ritëm për pak më gjatë”.
Interi është gjithashtu në një seri mbresëlënëse të rezultateve së fundmi. Skuadra ka fituar nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit, duke përfshirë finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit - trofeu i dytë i sezonit pasi mundi gjithashtu “Bianconerët” në Superkupën e Italisë. Por është një ndeshje tjetër në atë seri që i kushtoi shtrenjtë Interit – humbja 2:1 nga Bologna në ndeshjen e shtyrë për shkak të rasteve me koronavirus të kundërshtari.
“Ne duhet të shohim përpara, jo prapa”, tha mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni. “Ne po përgatitemi për ndeshjen ndaj Sampdorias me synimin për ta fituar atë dhe më pas do të shohim se si kanë shkuar rezultatet e tjera. Nuk ka dyshim se ekziston një ndjenjë e vazhdueshme keqardhjeje për pikët që kemi humbur gjatë rrugës, por nuk ka kuptim të ndalemi aty”.
Interi do të mbështetet sërish te sulmuesi Lautaro Martinez për të nxitur shtytjen e titullit. Sulmuesi i Përfaqësueses së Argjentinës, i cili tashmë kishte thyer rekordin e tij personal për këtë sezon, shënoi dy gola kundër Cagliarit fundjavën e kaluar për të çuar numrin e tij në 25 gola të realizuar këtë edicion. Në fakt, Lautaro ka shënuar 13 gola në 13 ndeshjet e fundit për Interin.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi humbur disa pikë në ndeshjet që merituam të fitonim”, tha Martinez. “Ne do të vazhdojmë të besojmë. Synimi ynë është të fitojmë ndeshjen e fundit në shtëpi para tifozëve tanë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.