Një ekip punëtor, i bashkuar që luan futboll sulmues dhe argëtues. Erik ten Hag ka paraqitur vizionin e tij për Manchester Unitedin pasi u prezantua si trajneri i pestë në nëntë vjet te një gjigant i rënë që vjen nga sezoni i tij më i dobët ndonjëherë në Premier League.
“Situata aktuale është e qartë se nuk është aq e mirë. Është një sfidë e madhe”, ka pranuar Ten Hag për kanalin televiziv të Unitedit në një intervistë të hënën.
Një ditë më parë Ten Hag ishte në stadiumin “Selhurst Parë” për ta parë Unitedin që pësoi humbje 1:0 nga Crystal Palace dhe për ta përfunduar sezonin e pestë rresht pa një trofe. Edicionin 2021/22, Unitedi e mbylli në pozitën e gjashtë në tabelë me 58 pikë të grumbulluara – totali më i ulët i pikëve që nga krijimi i Premier Leagues në vitin 1992. Unitedi këtë edicion ka ngjarë me një klub jofunksional – brenda e jashtë fushës – dhe Ten Hag do të përballet me një punë të madhe rindërtimi pasi mori ekipin nga Ajaxi, të cilin e ktheu në majën e futbollit holandez duke adoptuar filozofinë sulmuese të lojtarit të famshëm të Holandës, Johan Cruyff.
Ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë te Unitedi në një përpjekje për t'i dhënë fund pritjes së gjatë të klubit për trofe. Klubi nuk ka fituar një trofe që nga viti 2017, kur triumfoi në Ligën e Evropës, dhe kjo është ecuria më e keqe e Unitedit që nga fillimi i viteve 1980.
“Unë dua të ndërtoj një ekip me lojtarë që luftojnë për njëri-tjetrin, që janë të bashkuar dhe që do të marrin rezultate”. “Gjithashtu dua që të argëtohemi nëpërmjet lojës sulmuese. Por në fund, synimi është të luajmë futboll fantastik. Mirëpo, nëse nuk mund të luajmë futboll fantastik, ne ende duhet të fitojmë”.
Ten Hag gjithashtu u sigurua që të mbante një lidhje me ekipet e mëdha të Unitedit të udhëhequra nga Alex Ferguson, kur zgjodhi stafin e tij. Steve McClaren do të jetë njëri nga dy asistentët e Ten Hagut, me ish-trajnerin e Anglisë që do të kthehet në “Old Trafford” për një periudhë të dytë pasi ishte numri dy i Fergusonit në sezonin 1999-2001 - kur Unitedit fitoi tre tituj rresht në Premier League. Ten Hag foli për “kulturën luftarake” që i veçoi ekipet e kaluara të Unitedit dhe tha qartë se ka potencial edhe në skuadrën aktuale, duke pasur parasysh se ky ekip përfundoi i dyti në Premier League në sezonin 2020/21. Këtë sezon Unitedi ishte 35 pikë prapa kampionit Manchester City.
“Është një proces”, pranoi Ten Hag. “Do të duhet kohë, por jam i bindur se do të arrijmë në atë pikë ku të kemi suksese. Duhet të punojmë shumë dhe kjo punë duhet patjetër të bazohet në filozofinë dhe strategjinë e duhur”.
E kjo përfshin bërjen e “presingut, presionit total dhe futbollit aventuresk” që ishte edhe shenja e tij identifikuese e ekipit të tij Ajaxit. Por Ten Hag tha se kjo filozofi duhej të përshtatej edhe me Unitedin.
“Ka të bëjë me futbollin e Unitedit dhe me identitetin e filozofinë e klubit”, tha ai. “Duhet të ketë të bëjë me futbollin sulmues. Ne duhet të sjellim struktura në mënyrën e lojës, në mënyrë që të luajmë futboll sulmues”.
Strategu holandez në postin e trajnerit tek Unitedi ka zëvendësuar gjermanin Ralf Rangnick, i cili në fund të vitit të shkuar u emërua përkohësisht në këtë pozitë pas largimit të Ole-Gunnar Solskjaerit. Me ardhjen e Ten Hagut, gjermani Rangnick automatikisht ka kaluar në pozitën e këshilltarit në klub, pasi me Unitedin ka kontratë deri në verën e vitit 2024.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.