Kapiteni i Përfaqësueses së Sllovakisë, Marek Hamsik është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar.
“E kam menduar për një kohë të gjatë, por pas 15 vitesh vendosa të mbyll një pjesë të rëndësishme dhe të mrekullueshme të karrierës sime të futbollit”, shkroi Hamsik në Facebook të hënën.
Mesfushori 34-vjeçar bëri debutimin e tij ndërkombëtar në një miqësore kundër Polonisë në vitin 2007. Ai është rekordmen i Sllovakisë si me paraqitje ashtu edhe me gola. Ka shënuar 26 gola në 135 ndeshje të luajtura me Sllovakinë. Hamsik ishte kapiten i Sllovakisë në paraqitjen e saj të vetme në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut, ku sllovakët arritën deri në 1/8 e finales.
“Ishte një privilegj i madh të drejtoja ekipin kombëtar si kapiten në më shumë se 50 ndeshje”, tha Hamsik.
Me Hamsikun, Sllovakia u kualifikua edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2016 dhe 2020. “Ai meriton respektin dhe admirimin tonë”, tha përzgjedhësi i Sllovakisë, Stefan Tarkoviq. Në nivel klubi, Hamsik kaloi vitet e tij më të mira te Napoli nga viti 2007 deri në vitin 2019. Ai fitoi titullin e kampionit të Turqisë me Trabzonsporin këtë sezon.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.