Sulmuesit në moshë të përzier me lojtarë të rinj dhe një trajner që nuk kishte fituar kurrë asgjë. Skuadra e Milanit nuk pritej ta fitonte titullin e kampionit për sezonin 2021/22. Në të vërtetë, Stefano Pioli pothuajse u shkarkua dhe u zëvendësua nga Ralf Rangnicku dy vjet më parë, me Milanin në negociata të avancuara me trajnerin gjerman përpara se të ndryshonte mendje. Kjo doli të ishte një lëvizje e zgjuar, pasi Pioli e çoi Milanin në vendin e dytë në Serie A vitin e kaluar dhe më pas këtë sezon ia ktheu titullin e kampionit pas 11 vjetësh.
“I detyrohem gjithashtu klubit për mbështetjen dhe që na ka lejuar gjithmonë të punojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, me drejtorët që flasin gjithmonë me mua dhe kanë besimin e tyre tek unë”, tha Pioli.
Rivali i Milanit, Interi, e kishte skuadrën më të mirë në letër, por Pioli arriti të rrënjoste një nivel pjekurie te lojtarët e tij, si dhe të nxiste një shpirt të fortë ekipor. Në fund, titulli u sigurua falë përpjekjeve kolektive të skuadrës së tij, në vend që të mbështetej në një yll të shquar.
56-vjeçari Pioli arriti të nxirrte më të mirën nga lojtarët e tij, duke i çuar ata në lartësi të papritura dhe u shpall trajneri i vitit në Serie A.
“Unë e pranoj me dëshirë çmimin e trajnerit të vitit, por meritat i shkojnë të gjithë skuadrës”, tha ai.
Me një moshë mesatare pak më shumë se 26 vjeç, Milani u bë skuadra më e re që fitoi titullin e Serie A.
Kjo bëhet më mbresëlënëse duke pasur parasysh se dy nga lojtarët e Milanit – sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq dhe Olivier Giroud – rrisin ndjeshëm moshën mesatare. Rafael Leao u emërua lojtari i sezonit në Serie A në moshën 22-vjeçare. Ai asistoi në tre golat për Milanin kundër Sassuolos, ndeshje kjo që përfundoi me fitoren 3:0 dhe vulosi titullin e kampionit në xhiron e fundit.
“Unë jam një lojtar tjetër tani, më shumë i pjekur, me më shumë besim dhe me përgjegjësi për të bërë diferencën”, tha Leao. “Kjo është ajo që e kam bërë tërë sezonin, dhe më e rëndësishmja ishte që e fitova titullin”.
Të tjerë 22-vjeçarë, Sandro Tonali dhe Alexis Saelemaekers, ishin gjithashtu vendimtarë për titullin e Milanit, siç ishin edhe Theo Hernandez e Fikayo Tomori, të cilët janë të dy nga 24 vjeç. Të rinjtë kanë treguar një nivel të jashtëzakonshëm pjekurie dhe aftësie për ta përballuar presionin gjatë gjithë sezonit.
“Lojtarët kishin një mentalitet, një forcë dhe një identitet që nuk hoqën dorë kurrë”, tha Pioli. “Është një përzierje fituese e të rinjve dhe atyre që janë më pak të rinj”.
Dy sulmues me përvojë, të cilët kanë fituar pothuajse gjithçka në futboll, ndihmuan në këtë përzierje.
Milani ishte i 11-ti në Serie A kur u rikthye Ibrahimoviqi në fund të vitit 2019 dhe shumë qeshën kur ai tha se do ta ndihmonte ekipin të fitonte titullin. 40-vjeçari suedez e ka bërë të qeshurën e fundit.
“Ditën e parë ishte një Milan, sot është një tjetër”, tha Ibrahimoviqi. “Çdo ditë bëj atë që bëj gjithmonë, pasi të tjerët më kanë ndihmuar të bëhem lojtari që jam, jam përpjekur t’i ndihmoj të rinjtë. Gjithmonë jam përpjekur të ndihmoj brenda dhe jashtë fushës”.
Me Ibrahimoviqin që mungoi për pjesën më të madhe të sezonit shkaku i lëndimeve, ishte Olivier Giroudi ai që kontribuoi më shumë në fushë.
35-vjeçari Giroud vazhdoi me zakonin e tij për të shënuar në ndeshjet vendimtare, me dy gola në Sassuolo të dielën, si dhe dy kundër Interit dhe golin e vetëm në fitoren ndaj Napolit. Kjo i dha fund një pritjeje të gjatë për të, si dhe për Milanin. Giroudi ka fituar Kupën e Botës me Francën dhe Ligën e Kampionëve me Chelsean, si dhe garat e tjera të kupave. Por titulli i tij i vetëm në ligë erdhi me Montpellierin në vitin 2012. Megjithatë, Ibrahimoviqi pati gjithashtu rolin e tij për të luajtur në fitoren e Milanit në Sassuolo – pavarësisht se hyri në lojë vetëm në 18 minutat e fundit – me një fjalim emocionues në zhveshtore.
“I ndeza djemtë, u thashë të qëndronin të fokusuar, në momente të tilla mund të humbisni fokusin dhe kokën, sepse atmosfera ishte fantastike”, tha ai. “Na kishin mbetur vetëm 90 minuta për të shkruar historinë, për shumë është hakmarrje, sepse shumë nuk besuan në këtë arritje”.
Pasi Milani përfundoi çuditërisht i dyti në vitin 2021, humbi dy lojtarë kyç që nuk u larguan pa kontrata, Gianluigi Donnarumman dhe Hakan Çalhanoglu. Donnarumma - i shpallur lojtari më i mirë i Kampionatit Evropian - u zëvendësua me portierin Mike Maignan nga kampioni i Francës, Lille. Dhe ndërsa Donnarumma ka pasur vështirësi ndonjëherë këtë sezon në Paris Saint-Germain, Maignan ka lulëzuar me pritjet vendimtare ndeshje pas ndeshjeje. Tani shumë tifozë thonë se Milani në fakt ka bërë një përmirësim në departamentin e portierëve. 26-vjeçari Maignan mbajti portën e pastër më shumë se çdo portier tjetër në Serie A këtë sezon, ashtu siç kishte bërë për Lillen kur ndihmoi klubin francez t'i jepte fund pritjes 10-vjeçare për titullin e ligës. Milani, gjithashtu, nënshkroi me mbrojtësin e krahut, Alessandro Florenzi, dhe përforcoi sulmin e tij me Brahim Diazin dhe Giroudin, i cili tani duket edhe më shumë i volitshëm me rreth një milion euro. Milani transferoi Tomorin dhe Tonalin për marrëveshje të përhershme, gjithashtu në një dritare të fortë transferimi jashtë sezonit ku shtoi thellësi cilësore për herë të parë në një dekadë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.