Rashani krenar që Clermonti siguroi qëndrimin në Ligue 1
Reprezentuesi i Kosovës, Elbasan Rashani ka thënë se ndihet krenar që ka arritur ta ndihmojë skuadrën e Clermontit për të mbetur në Ligue 1 të Francës edhe për sezonin e ardhshëm.
Clermonti e mbylli edicionin 2021/22 në pozitën e 17-të në tabelë me 36 pikë të mbledhura pas 38 xhirove të luajtura. Rashani, i cili iu bashkua Clermontit verën e shkuar ishte njëri prej më të merituarve që Clermonti siguroi qëndrimin në elitën e futbollit francez edhe për një vit, përkundër që mungoi në nëntë ndeshje kampionale shkaku i lëndimit.
Ai shënoi tetë gola dhe bëri tri asistime në 29 paraqitje në Ligue 1.
“Mbetja me Clermontin në Ligue 1 edhe për sezonin e ardhshëm, mendoj se është suksesi më i madh i karrierës sime dhe për këtë jam shumë krenar”, ka thënë Rashani, ka raportuar “Le Montagne” të martën.
29-vjeçari ka kontratë deri në vitin e ardhshëm me ekipin francez.