Sport

Reali përpiqet ta harrojë Mbappen, fokusohet te finalja e Championsit

 

Real Madrid dëshiron ta harrojë shpejt sulmuesin Kylian Mbappe dhe ta kthejë fokusin në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Katër ditë para finales që do të luhet në “Stade de France” në periferi të Parisit, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, dhe lojtarët e tij u përpoqën të mos flisnin për sulmuesin francez dhe për vendimin e tij për të qëndruar te Paris Saint-Germaini. Mbappe bëri njoftimin befasues të shtunën e shkuar, duke u dhënë një goditje të madhe Real Madridit dhe tifozëve të tij, të cilët ishin të sigurt se ai do të luante në kryeqytetin spanjoll sezonin e ardhshëm.

“Është shumë e qartë për ne që duhet të mendojmë për gjërat tona”, tha Ancelotti të martën. “Ne kurrë nuk kemi folur për lojtarë të skuadrave të tjera. Ne i respektojmë të gjithë, çdo vendim, çdo klub. Ne duhet të bëjmë punën tonë. Është shumë e qartë se çfarë duhet të mendojmë, që është përgatitja për finalen e Championsit që na pret të shtunën”.