Sport

Behrami përshëndetet në heshtje nga futbolli aktiv

 

Sezoni 2021/22 ishte i fundit për Valon Behramin si futbollist aktiv. Mesfushori kosovar është përshëndetur nga futbolli aktiv në moshën 37-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere fantastike që e nisi si profesionist në vitin 2002. E vendimin për t’i varë “këpucët në gozhdë” Behrami e ka marrë pas eliminimit të Brescias në gjysmëfinale të plejofit në Serie B. Brescia që synonte rikthimin në Serie A sezonin e ri, të dielën e shkuar u mposht edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit nga Monza, që avancoi në finale me rezultatin e përgjithshëm 4:2.

Behrami iu bashkua Brescias në janar të këtij viti për ta ndihmuar në tentimin që të rikthehet në Serie A pas dy vjetësh. Sezonin e mbylli në pozitën e pestë, nuk arriti të avanconte përtej serisë gjysmëfinale të plejofit. Me fanellën e Brescias, të cilës iu bashkua si lojtar i lirë pasi shkëputi kontratën me Genoan, Behrami regjistroi pesë paraqitje. Largimin e Behramit nga futbolli aktiv e ka bërë të ditur bashkëlojtari i tij te Brescia, Flavio Bianchi, të mërkurën nëpërmjet një postimi në “Instagram” kanë raportuar mediumet italiane. Këtë edicion Behrami ka edhe dhjetë paraqitje në Serie A me Genoan, ku ishte edhe kapiten i ekipit.