Sport

Valon Behrami, një lojtar i madh që largohet në heshtje nga futbolli

 

Prej ditësh po spekulohet për tërheqjen e tij nga futbolli aktiv. Megjithatë, tashmë duket e qartë: Siç raporton “Tages-Anzeiger”, Valon Behrami i ka dhënë fund karrierës si futbollist. Mirëpo ai do të mbetet në klubin e tij të mëparshëm, Brescia Calcio, dhe do të bëhet asistent i drejtorit sportiv. Në 491 ndeshje si profesionist, Valon Behrami ka shënuar 15 gola dhe ka dhënë 12 asistime në nivel klubesh. Megjithatë, 37-vjeçari ishte një figurë verbuese në futbollin zviceran. Kjo ishte kryesisht për shkak të shpirtit të tij luftarak; Behrami ishte lojtar i dueleve. E tani, lojtari që ka bartur 83 herë fanellën e Përfaqësueses së Zvicrës po largohet nga futbolli. I lindur në Kosovë, ai migroi drejt Zvicrës me familjen e tij në vitin 1990, kur ishte vetëm katër vjeç. Behrami u rrit në Stabio, një fshat i vogël në Ticino. Si fëmijë, zemra i rrihte për dy sporte, skijimin dhe futbollin. Behrami vendosi të merrej me futboll në moshën 13-vjeçare, duke luajtur për ekipet Stabio dhe Chiasso si junior. Dy vjet më vonë ai kaloi te FC Lugano. Megjithatë, ai nuk bëri një përparim si futbollist në Zvicër. Në vitin 2003, si 18-vjeçar, Behrami u transferua te Genoa në Serie A. Aty u huazua fillimisht te Verona, ekip që garonte në Serie B të Italisë.

Lojtari më i mirë në Serie B