Sport

Futbollistet e Hajvalisë, të gatshme për Champions

 

Futbollistet e ekipit EP Com nga Hajvalia do të jenë të gatshme për Ligën e Kampionëve në sezonin e ri. Kështu, ka insistuar trajnerja Suada Jashari për KOHËN. Të premten, në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti për edicionin 2022/23 dhe ekipi nga Hajvalia ka mësuar kundërshtarin e parë. EP Com është përcaktuar të jetë pjesë e Grupit 8, ndeshjet e të cilit do të luhen në formë mini-turneu dhe sistem eliminimi. Pjesë e grupit të ekipit kosovar, janë edhe Benfica e Portugalisë, Tëente e Holandës dhe Agarista CSF e Moldavisë. Të gjitha ndeshjet do të luhen në Holandë, ku skuadra e Tëentes do të jetë mikpritëse. Ndeshjen gjysmëfinale të grupit, EP Com e luan kundër ekipit nga Portugalia, Benficas më 18 gusht. Në rast se e mposht ekipin portugez, atëherë ekipi kosovar në finale do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Tëentes dhe Agarista CSF. Ndërsa, fituesi i grupit do të avancojë në mesin e 32 skuadrave më të mira, të cilat gjithashtu do të përballen në raundin e dytë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, që nis në muajin tetor. Në rast se nuk triumfon ndaj Benficas në gjysmëfinale, EP Com do të përballet me humbësin e gjysmëfinales tjetër për vendin e tretë në grup, duel ky që luhet më 21 gusht. Tek ekipi nga Hajvalia, kanë pranuar se shorti nuk është aspak i lehtë, por kanë insistuar se do të synojnë ta fitojnë miniturneun në Holandë.

“Grupi është shumë i vështirë dhe ndoshta na ka munguar pak fati në short. Kundërshtari i parë, Benfica ka përvojë më të gjatë se ne, sikurse edhe Tëente. Kështu që, ndoshta mund të them se jemi në grupin më të vështirë të mundshëm”, ka pranuar Jashari të premten. “Nuk do të jetë fare lehtë, por do të mundohemi të prezantohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vështirë, por besoj se do të jemi gati, pasi jemi maksimalisht të motivuar për Champions”.