Insigne pritet ngrohtësisht nga tifozët e Torontos
Qindra duar u ngritën lart në formë të zemrës, derisa tifozët e Toronto FC kënduan dhe iu gëzuan ardhjes së Lorenzo Insignes.
Pamja bëri që Insigne ta bënte të njëjtin gjest në drejtim të tyre, menjëherë.
Insigne u njoftua zyrtarisht me tifozët e Toronto FC të premten mbrëma, pas afër shtatë muajsh, pasi transferimi i reprezentuesit të Italisë me klubin nga MLS-ja amerikane u bë më 8 janar, raportoi CBC Sports.
“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur”, ka thënë Insigne nëpërmjet një përkthyesi. “Shpresoj që gjatë ndeshjeve të jap kontributin tim e ta ndihmojë Toronton të fitojë”.
Insigne më pas e mbylli paraqitjen e tij të shkurtër në skenë dhe foli në gjuhën angleze dhe bërtiti “të gjithë për një” në mikrofon, ndërsa tifozët vazhduan pas tij duke kënduar moton e klubit të Torontos.
Transferimi i tij mund të kthehet në shpresë për Toronton këtë sezon, pasi pozicionohet në vendin e 12-të në ligën MLS në Konferencën e Lindjes, me shifra prej katër fitoreve, tri barazimeve e tetë disfatave.
31-vjeçari nga Napoli i Italisë, ka shënuar 132 gola në 416 paraqitje për klubin, kryesisht te Napoli në Serie A.
Insigne nënshkroi kontratë katërvjeçare me “të kuqtë” dhe hyn në ligën MLS si futbollisti më i paguar.
Ai e kalon Xherdan Shaqirin e Chicago Fire, i cili prinë në këtë listë me pagë vjetore prej 8.153 milionë dollarëve në vit.
Insigne tha të premten se është i gatshëm për këtë sfidë.
“Presidenti Bill Manning bëri punë të madhe. Ma tregoi projektin dhe projekti është i mahnitshëm”, tha Insigne, i cili e bëri gjestin e zemrës me duar në drejtim të gruas të tij.
“E di se do të jetë shumë e vështirë për mua sepse është hera e parë që do të jem larg Napolit, por për mua dhe familjen time do të jetë gjë e shkëlqyer”.
Ai pritet që ndeshjen e parë të luajë më 9 qershor, dy ditë pasi të hapet afati i dytë kalimtar për ligën MLS. Do të luajë në shtëpi kundër San Jose Earthquakes.
Toronto FC do t’i ketë luajtur 18-të nga 34 ndeshjet e sezonit të rregullt deri atëherë.
Ndihmë për Insignen do të jetë veterani i krahut të majtë të mbrojtjes, Domenico Criscito, i cili u pajtua të nënshkruajë kontratë me Toronto FC.
35-vjeçari ka luajtur për Genoan që nga viti 2018.
Qindra njerëz e pritën Insignen edhe në rrugët e Torontos për disa orë.
Pati një skenë të vogël në restaurantin “Cafe Diplomatico”, me një DJ i cili performonte muzikë, derisa Maria Papadakis dhe Rick Campanelli, dëfryen të mbledhurit me lojëra të ndryshme.
Kamil Kartel, tifoz i cili u ngjit në skenë për të parë se sa gjatë mund të bërtasë në fjalën “gol”, si komentatorët italianë, ka thënë se është gjë shumë e bukur, pasi tifozët e Toronto FC janë mbledhur së bashku.
“Është gjë e madhe të shoh fytyra të njohura përreth”, ka thënë Kartel, duke bërë me gjest nga turma. “E dua ndjenjën kur transferojmë lojtarë të mëdhenj si ky. E dua komunitetin të bashkuar”.
Rreth 20 anëtarë të “Napoli Club Toronto” ishin të pranishëm, duke mbajtur veshur fanellën e Insignes, e të cilët ishin të pajisur edhe me shalle e banerë me logon e ekipit.
Në momentin kur arriti Insigne në skenë me eskortën e policisë, anëtarët e klubit nisën këngët e Napolit për ta pritur Insignen.
“Ai është i ngjashëm si Diego Maradona i gjeneratës sonë”, tha Luca Lombardi, duke iu referuar futbollistit më të mirë të shekullit 20 nga FIFA, i cili po ashtu luajti për Napolin nga viti 1984 deri në vitin 1991.
“Maradona ka qenë hero për njerëzit napolitanë kur ai luante për këtë skuadër në vitet e ’80-ta dhe të ’90-ta. Tani për ne në vitet 2000, 2010 e 2020, Insigne është heroi ynë. Kjo do të thotë më së shumti për ne”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.