Një futbollist i Premier Leagues i arrestuar në Londrën e Veriut me dyshimin për përdhunim, është marrë në pyetje për dy akuza të tjera për përdhunim, kanë njoftuar autoritetet të martën.
Lojtari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, po merrej në pyetje nga policia pasi u arrestua të hënën në Barnet për një sulm të dyshuar ndaj një gruaje, që pretendohet se ka ndodhur muajin e kaluar.
Tani policia ka thënë se ai është arrestuar si i dyshimtë edhe për dy incidente të përdhunimit në vitin 2021, ndaj një gruaje tjetër.
Futbollisti, klubi i të cilit nuk ka komentuar, është në fund të 20-ave, ndërsa emri i tij nuk mund të ceket për arsye ligjore. Dy viktimat e dyshuara janë të moshës 20-vjeçare.
Lojtari u arrestua pas një bastisjeje në tre të mëngjesit, përpara se të merrej në pyetje për 15 orë, sipas “The Sun”. Ndërkohë “Telegraph” ka shkruar se futbollisti i kaloi rreth 30 orë në paraburgim.
Në një deklaratë të lëshuar të martën nga policia thuhet: “Më 4 korrik, një pretendim për përdhunimin e një gruaje në të 20-at u raportua në polici. U raportua se përdhunimi i dyshuar ndodhi në qershor 2022. Më 4 korrik një burrë u arrestua në një adresë në Barnet, me dyshimin për përdhunim. Ai u dërgua në paraburgim”.
“Ndërsa ishte në paraburgim, ai u arrestua më tej me dyshimin për dy incidente të përdhunimit që pretendohet se kishin ndodhur në prill dhe qershor të vitit 2021, ndaj një gruaje tjetër në të 20-at. Ai më pas është liruar me kusht, deri në një datë në muajin gusht. Hetimet për rrethanat janë duke vazhduar”, thuhet tutje në komunikatën e policisë.
Klubet e Premier Leagues në ditët në vijim do të udhëtojnë jashtë Anglisë për turne parasezonal. Mbetet të shihet nëse futbollisti do të përfshihet në udhëtim.
Edicioni i ri në Premier League fillon pas një muaji, më 5 gusht. Përfaqësuesja e lojtarit është kualifikuar në Kupën e Botës, e cila fillon në muajin nëntor në Katar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.