Borussia Dortmundi e ka konfirmuar transferimin e Sebastien Hallerit nga Ajaxi.
Lajmi është bërë i ditur të mërkurën, ndërsa sulmuesi shtatlartë ka nënshkruar kontratë katërvjeçare.
Haller nuk arriti që të lë gjurmë te West Hami për një sezon e gjysmë, por karriera e tij u ringjall tek Ajaxi, skuadër me të cilën realizoi 47 gola në vetëm 66 paraqitje. Kishte kontribuuar edhe me 16-të asistime. Sezonin e kaluar realizoi 21 gola në “Eredivisie” dhe ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se e kemi transferuar Sebastien Hallerin, qendërsulmuesin i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve, por edhe një lojtar që e njeh Bundesligën në veçanti dhe e ka treguar veten në të kaluarën”, ka thënë drejtori sportiv i skuadrës, Sebastian Kehl.
Haller do ta bartë fanellën me numrin nëntë, ndërsa bashkëlojtarëve do t’i bashkohet në vikend.
“Mezi pres që ta dëgjoj atmosferën e 80 mijë fansave në stadium. Shpresoj se në vitet e ardhshme do të arrijmë gjëra të mëdha së bashku, e do të festojmë së bashku”, ka thënë Haller.
Sulmuesi i Bregut të Fildishtë i bashkohet Dortmundit për 31 milionë euro.