Sport

Kosova në mesin e katër shteteve më të forta në xhudo

 

Xhudoja u zbulua në Japoni në shekullin XIX, me kombinimin e disa formave të ndryshme të luftërave. Aktualisht thuhet se rreth 40 milionë persona në të gjithë planetin janë pjesëmarrës në këtë sport, por janë një numër i vogël i shteteve që kanë rekordet më të mira në këtë sport luftarak. Kosova e vogël ka prodhuar sportistë të mëdhenj në sportin e xhudos. Arkitekt i të gjitha sukseseve është trajneri Driton Kuka që ka nxjerrë kampionë olimpikë, botërorë e evropianë, me Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin e Nora Gjakovën lidere. Medalje nga më të ndryshmet janë fituar edhe në “Grand-Slame” e “Grand-Prix”. Falë sukseseve të arritura, sajti “judoinside” të mërkurën e ka përfshirë Kosovën në mesin e katër shteteve më të forta në këtë sport. Ka pak shtete të cilat do të mund të përfshiheshin në listën përfundimtare të katër shteteve më të forta. Kosova nuk njihej për arte marciale të përziera. Por kjo ndryshoi pas lojërave olimpike “Tokio 2020”, ku Kosova i fitoi dy medalje të arta.

“Shteti i vogël i Ballkanit u pranua në Organizatën Olimpike vetëm në vitin 2014, pasi e kanë shpallur pavarësinë vetëm disa vjet më herët. Tani ka tri medalje të arta të fituara në total dhe të gjitha vijnë nga sporti i xhudos”, shkruan të mërkurën “judoinside”.