1 perditesime
20:29

Unitedi pëson edhe disfatën e dytë në ligë

Një tjetër disfatë në fillim të Premier Leagues angleze e ka pësuar skuadra e Manchester Unitedit që drejtohet nga trajneri holandez, Erik ten Hag.

“Djajtë e kuq” të shtunën u turpëruan në kuadër të xhiros së dytë të edicionit të ri, pasi u mposhtën me rezultatin 4:0 në udhëtim te Brentfordi.

Të katër golat u shënuan në pjesën e parë.

Josh Dasilva e hapi serinë e golave pas dhjetë minutash lojë.

Mathias Jensen e dyfishoi rezultatin tetë minuta më vonë.

Ndërkohë, pas gjysmë ore lojë realizoi edhe Ben Mee.

Rezultatin final të takimit e vulosi Bryan Mbeumo.

Brentfordi bëhet vetëm skuadra e tretë që i shënon Manchester Unitedit katër gola në pjesën e parë. Një gjë të tillë në tetor të vitit 2020 e kishte bërë Tottenhami, ndërsa Liverpooli i kishte shënuar katër herë Unitedit në tetor të vitit 2021.

Brentfordi pas dy ndeshjeve ka katër pikë.

Unitedi është i fundit, pa pikë.

19:11

S’ka këndellje tek Unitedi, debakël nga Brentfordi për 35 minuta

Pas humbjes në xhiron e parë, në shtëpi nga Brightoni, Manchester Unitedi s’ka dhenë sinjale rikthimi as në fillim të ndeshjes së xhiros së dytë në Premier Leaguen angleze.

Ekipi i Eric Ten Haag po pëson debakël pas 35 minutash lojë me Brentfordin.

Josh Dasilva hapi serinë e golave për Brentfordin në minutën e 10-të. Pas tij realizoi Matthias Jensen në minutën e 18-të.

Dy gola të tjerë të shpejtë u realizuan në minutat 30 dhe 35. Shënuan Ben Mee dhe Bryan MBeumo për rezultatin 4:0.

Në këtë ndeshje, nga minuta e parë ka startuar Cristiano Ronaldo.