Futbollisti Kastriot Imeri ka kaluar te skuadra më e madhe zvicerane, Young Boys. Imeri deri më tani ka luajtur për Servetten, ndërsa të martën ka bërë hapin e madh në karrierë.
Young Boysi i Bernit ka dominuar në vitet e fundit në futbollin zviceran, ndërsa edicionin e kaluar ishte i treti. Këtë edicion synon të kthehet te titulli, ndërsa pritjet nga Imeri janë shumë të mëdha. 22-vjeçari llogaritet prej futbollistëve më të talentuar në Zvicër. Me Servetten kishte kontratë edhe një vit dhe ky klub ishte i interesuar ta shesë për të fituar financiarisht prej Imerit. Ndërkohë kosovari ishte i vendosur për hapin para në karrierë.
Kalimi te Young Boysi është hap para.
Mesfushori ofenziv, Imeri, me Young Boysin ka nënshkruar për katër vjet, deri në verën e vitit 2026.
“Imeri është zhvilluar shumë mirë në klubin e tij Servette dhe ishte prej lojtarëve më të dalluar në edicionin e kaluar në Superligë. Në 26 ndeshje kishte shënuar 11 gola. Ai ka luajtur 78 ndeshje në elitën zvicerane deri më tani, duke realizuar 13 gola e dhjetë asistime. Gjithsej për ekipin e parë të Servettes i ka luajtur 148 ndeshje, ndërsa ka 22 gola e 17 asistime”, shkruan sajti zyrtar i Young Boysit.
Imeri në nëntor të vitit të kaluar ka debutuar te Zvicra. Ishte ndeshja e vetme e tij në përfaqësuesen A të helvetikëve. Ndërkohë ishte prej më të mirëve te U21 e Zvicrës. Ka shënuar katër gola në 16 paraqitje.
“Jemi shumë të lumtur që Kastriot Imeri ka vendosur të bashkohet me Young Boysin. Fillimisht kemi menduar se transferimi nuk është i mundur, pasi shumë klube nga vende të tjera kanë tentuar ta marrin. Por Kastrioti na ka dhënë shenja të qarta se dëshiron të vijë në Young Boys. Jemi po ashtu të lumtur që kemi gjetur zgjedhje të drejtë me Servetten”, ka thënë Christoph Spycher, drejtues në Young Boys.
“Kastriot Imeri do të sigurojë që reparti ofanziv të jetë edhe më i vështirë për t’u kalkuluar. Ai mund të shfrytëzohet në pozita të ndryshme dhe te Servette në mënyrë impresive ka dëshmuar se ka potencial të madh. Në moshën 22-vjeçare ai është larg prej arritjes në fund të zhvillimit të tij. Jemi të lumtur që kemi një tjetër lojtar shumë të mirë në radhët tona”, ka thënë Steve von Bergen, drejtor sportiv te Young Boys.
Për Imerin ishin interesuar edhe klube të mëdha, si Napoli, Fiorentina, Torino dhe klube në vende të tjera evropiane. Por ai vendosi që të mbetet ende në Zvicër.
“Po shikoj para drejt sfidave në Young Boys dhe dua të ndihmoj që të arrihen synimet e mëdha. I njoh disa lojtarë në ekip. Kam luajtur me disa në ekipet nacionale. Dua të falënderoj Servetten për vitet e shkëlqyeshme. Ishte kohë brilante. Por tani rrugëtimi im vazhdon në Bern dhe te Young Boys”, ka thënë Imeri.
Në vitet e kaluara, Young Boysi ka arritur deri në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, që është sukses shumë i madh për një ekip zviceran.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.