Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri pret angazhim të madh të gjithë futbollistëve në ndeshjen kundër Slavia Pragës. Kjo ndeshje luhet të enjten dhe i takon Grupit G të Ligës së Konferencës. Dueli zhvillohet në stadiumin “Fortuna Arena” dhe nis në orën 18:45.
Frashëri ka pranuar se Slavia mbetet favorite jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe për ta fituar grupin. Mirëpo, ai ka thënë se pret një paraqitje të mirë të Ballkanit, e cila mund të sjell një rezultat të favorshëm.
“Është kënaqësi të kemi mundësinë të luajmë me një kundërshtar si Slavia. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të kemi një rezultat të favorshëm. Normalisht, Slavia tregon vetvetiu se është kundërshtar më i fortë se Cluji e Sivasspori, dhe është pretendenti kryesor për ta fituar grupin. Duhet të jemi shumë më të motivuar se ndaj Clujit, të japim maksimumin dhe mos të lejojmë të ndëshkohemi. Do ti shijojmë ndeshjet në fazën e grupeve pasi është hera e parë që luajmë”, ka thënë Frashëri.
“Ne duhet të vlerësojmë çdo moment deri në fund të ndeshjes, e jo sikurse me Clujin që menduam se ndeshja kishte mbaruar dhe kundërshtari në ato momente na ndëshkoi për të na e larguar fitoren nga duart në fund. Për mua do të jetë mirë të luajmë në një stadium me atmosferë të madhe, sigurisht nuk do të jetë lehtë. Ne jemi përgatitur mirë dhe shpresoj ta shijojmë. Shpresoj të jap më të mirën nga vetja dhe të dëshmojmë se mund të luajmë futboll edhe pse jemi ekip i vogël nga një shtet i vogël”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.