3 perditesime
16:57

Drenica fiton ndaj Prishtinës me përmbysje të rezultatit

Drenica ka shënuar edhe fitoren e dytë rresht në elitën e futbollit të Kosovës pasi mposhti Prishtinën.

Drenica të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me përmbysje të rezultatit, fitoi ndaj kryeqytetasve me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, por ishte Prishtina e trajnerit Ismet Munishi që kaloi në epërsi e para.

Genc Hamiti realizoi pas tentimit të dytë, pasi fillimisht e qëlloi shtyllën. Nga topi i kthyer përfitoi dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Drenica nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat fillimisht me Zenel Gavazajn.

Gavazaj në minutën e 76-të shfrytëzoi gabimin e Gledi Micit, i cili nuk e largoi mirë topin nga zona. Nga ai rast përfitoi sulmuesi i Drenicës dhe e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Ardit Nika.

Gjashtë minuta pa përfunduar ndeshja, për vendësit realizoi edhe Armend Abazi.

Gjyqtari i ndeshjes Erdall Zasella dha penallti për “kuqezinjtë”, pasi vlerësoi se Bujar Pllana preku topin me dorë brenda në zonë.

I saktë nga penalltia ishte Abazi për 2:1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas tetë ndeshjeve të luajtura, Drenica ngjitet në vendin e katërt dhe ka 11-të pikë.

Prishtina me një ndeshje më pak të zhvilluar ka po aq pikë në vendin e tretë.

Në xhiron e nëntë, Drenica udhëton te Drita, teksa Prishtina në shtëpi e pret Trepçën ’89.

16:50

Drenica në avantazh ndaj Prishtinës

Drenica ka përmbysur rezultatin ndaj Prishtinës në fundin e ndeshjes.

Pas penalltisë të cilën Erdall Zasella e dha pas rishikimit të sistemit me VAR, Armend Abazi ishte i saktë nga 11-të metra.

Gjyqtari Zasella dha penallti pasi brenda në zonë, qendërmbrojtësi Bujar Pllana, preku topin me dorë. Rezultati në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj është 2:1.

16:14

Prishtina në epërsi ndaj Drenicës

Prishtina ka kaluar në epërsi ndaj Drenicës. Në minutën e 52-të, Genc Hamiti shënoi për 1:0.

Ai në fakt realizoi pas tentimit të dytë, pasi fillimisht qëlloi shtyllën.

Përfitoi prej topit të kthyer për ta kaluar në epërsi Prishtinën në Skënderaj.

15:49

Mbyllet pa gola pjesa e parë në Skenderaj

Pjesa e parë në mes të Drenicës dhe Prishtinës është mbyllur pa gola.

Ndeshja është duke u zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj dhe i takon javës së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Pjesa e parë kryesisht u karakterizua me shumë gabime dhe pa shumë raste për shënim nga të dyja ekipet.