Sport

Cikalleshi e Veseli kërkojnë pikët e plota në Izrael

 

Përfaqësuesja e Shqipërisë po vijon me përgatitjet intensive për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Islandës në kuadër të Ligës B. Shqipëria të dielën e shkuar ka nisur grumbullimin për duelet e këtij muaji në Durrës, ndërsa përzgjedhësi Edoardo Reja prej të martës mbrëma e ka të kompletuar ekipin, pasi janë bashkuar të gjithë lojtarët e ftuar. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Frederic Veseli pranuan se dy përballjet janë shumë të rëndësishme për të siguruar pozitën e parë në grup dhe promovimin në Ligën A.

Shqipëria më 24 shtator luan në udhëtim tek Izraeli, ndërsa tri ditë më vonë e pret Islandën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Është e treta në Grupin 2 dhe me fitore ndaj Izraelit e Islandës mund ta mbyllë edicionin e tretë të kësaj gare në pozitën e parë. Ka tubuar një pikë prej dy ndeshjeve të luajtura. Izraeli i prin grupit me pesë pikë, dy më shumë se Islanda që është e dyta, por që kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur se Shqipëria. Duelin e parë ndaj Izraelit, Shqipëria e humbi 2:1 në shtëpi në muajin qershor. Cikalleshi ka thënë se Shqipëria po përgatitet maksimalisht për këtë sfidë dhe insistoi se Izraeli nuk është i pamposhtur në shtëpi. Ai insistoi se Shqipëria do të udhëtojë në Izrael për fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.