Sport

Peja ia shkakton kampionit humbjen e tretë

 

Kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, nuk di për fitore në këtë edicion të Superligë. Ylli të dielën mbrëma pësoi humbjen e tretë rresht. Pësoi në “Karagaçi” nga Peja me rezultatin 73:57. Për Pejën është fitorja e tretë rresht. Vetëm fitore pas tri xhirove të para ka edhe Trepça. Ylli e nisi mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e fitoi 21:11. Madje kishte epërsi prej 15 pikëve, 21:6.

Në çerekun e dytë epërsia e Yllit u zvogëlua. Pas 20 minutave lojë rezultati ishte 30:24 në të mirë të ekipit mysafir. Peja vazhdoi rikthimin edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 25:19. Në fund të periudhës së tretë kaloi në epërsi 49:47 dhe më nuk u ndalë. Periudha e katërt u takoi plotësisht pejanëve, 24:8, që kishin përkrahje të madhe nga tribunat. Palestra në Pejë ishte gati e mbushur me shikues.