2 perditesime
14:30

Autoritetet e Indonezisë dalin me shifër tjetër, thonë 125 persona vdiqën në tragjedinë në stadium

Së paku 125 persona kanë vdekur në një ndeshje futbolli në Indonezi, ndërsa është bërë një nga katastrofat më të mëdha në një stadium futbolli, raporton BBC.

Qindra tjerë janë lënduar, ndërsa skuadra Arema FC pësoi në shtëpi të shtunën nga ekipi Persebaya Surabaya. Arema FC pësoi 3:2.

Autoritetet e Indonezisë fillimisht kishin raportuar për 174 të vdekur, mirëpo kjo shifër është ndryshuar tashmë, duke thënë se 125 persona kanë vdekur.

Në fund të ndeshjes tifozët ishin futur në fushë për t’u përleshur, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Tifozët në panik kishin ikur në drejtim të derës së daljes në stadiumin “Kanjuruhan”, ku shumë prej tyre vdiqën nga asfiksia ndërsa pati edhe shtypje.

Presidenti i FIFA-s , Gianni Infantino, ka thënë se është një ditë e errët për të gjithë të përfshirë në futboll dhe tragjedi e rëndë.

FIFA ka cituar se ndalon përdorimin e gazit lotsjellës gjatë ndeshjeve të futbollit.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka urdhëruar që gjitha ndeshjet e elitës së Indonezisë, të ndalohen derisa të përfundohet hetimi.

Muhamad Dipo Maulana 21-vjeçar, që ishte dëshmitar, i ka thënë BBC se ka dëgjuar më tepër se 20 bombola gazi duke u hedhur në drejtim të tifozëve.

“Kishte shumë zhurmë”, ka thënë ai.

Është një nga tragjeditë më të rënda në stadiume të futbollit.

Në vitin 1964, 320 persona vdiqën dhe mbi 1000 u lënduan gjatë ndeshjes eliminatore për Lojërat Olimpike mes Perusë dhe Argjentinës që u zhvillua në Lima.

Në vitin 1985, 39 persona vdiqën dhe 600 u lënduan në tragjedinë në stadiumin Heysel në Bruksel, kur tifozët u shtyn në drejtim të një muri që më pas u shemb. Tragjedia ndodhi në finalen e Kupës Evropiane mes Liverpoolit e Juventusit.

08:55

Shkon në 174 numri i të vdekurve nga trazirat në ndeshjen e futbollit në Indonezi

Së paku 174 persona kanë vdekur në trazirat në një ndeshje futbolli në Indonezi, raporton BBC.

Kjo po shihet si një prej katastrofave më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në një ndeshje futbolli.

Shumica e tifozëve vdiqën nga asfiksia dhe shtypja.

Tifozët ishin futur në fushë për t’u përleshur pas ndeshjes të së shtunës ku skuadra Arema FC pësoi 3:2 në shtëpi nga Persebaya Surabya, ndeshje e Premier Leagues së Indonezisë.

Policia përdori gazin lotsjellës për të qetësuar turmën, por kjo shkaktoi tollovi të madhe, ku tifozët vrapuan në drejtim të derës së daljes dhe aty ndodhën vdekjet e lëndimet nga asfiksia dhe shtypjet.

Ministri i Sigurisë i Indonezisë ka thënë se në stadiumin, që pranon afro 38 mijë tifozë, ishin afro 4000 tifozë më tepër.

Afro 180 tifozë janë lënduar në trazirat.

Presidenti i Indonezisë, Joko }idodo, ka urdhëruar që të gjitha ndeshjet e Premier Leagues së Indonezisë të ndalohen derisa të përfundohet hetimi.

Në video shihen tifozët duke vrapuar në fushë pas përfundimit të ndeshjes.

Policia më pas hodhi gaz lotsjellës, duke çuar në skena kaosi.

“Doli nga kontrolli. Sulmuan policët, dëmtuan veturat”, ka thënë shefi i Policisë së Javas Lindore, Nico Afinta, që ka konfirmuar se dy policë janë në mesin e të vdekurve. “Dua të them se jo gjithë tifozët ishin anarkik. Vetëm ata afro 3000 që u futën në fushë”.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) thotë se nuk duhet përdorur gaz për të kontrolluar turmën gjatë ndeshjes së futbollit.

Asociacioni i Futbollit të Indonezisë (PSSI) ka thënë se do të nisë hetimet, ndërsa ka shtuar se incidenti “ka njollosur fytyrën e futbollit të Indonezisë).

Dhuna në ndeshjet e futbollit të Indonezisë nuk është e panjohur, veçanërisht mes rivalëve Arema FC dhe Persebaya.

Tifozëve të Persebayas u ishte ndaluar blerja e biletave për këtë ndeshje nga frika për përplasje.

Mirëpo, ministri i Sigurisë i Indonezisë, Mahfud MD, në një postim në Instagram ka thënë se 42 mijë bileta ishin shitur për ndeshjen në stadiumin “Kanjuruhan”, pra 4000 më tepër se që është kapaciteti i stadiumit.

07:54

Trazira në ndeshje futbolli në Indonezi, 129 të vdekur

Së paku 129 persona kanë vdekur në një ndeshje futbolli në Indonezi, si pasojë e trazirave mes tifozëve, raporton agjencia AP të dielën.

Përleshjet kishin nisur mes grupeve të tifozëve brenda stadiumit “Kanjuruhan” në qytetin Malang, pas ndeshjes së Premier Leagues së Indonezisë mes Persebaya Surabayas dhe Arema Malangut. Ndeshja përfundoi 3:2 për Persebayan.

Dhuna nisi pak pas përfundimit të ndeshjes të së shtunës mbrëma, ky tifozët u futën në fushë brenda. Policia pëdori gazlotsjellës, që shkaktoi panik mesin e tifozëve, ka thënë shefi i Policisë së Javas Lindore, Nico Afinta.

Qindra tifozë vrapuan drejt portës për ta evituar gazin lotsjellës. Në kaos disa vdiqën nga asfiksia dhe të tjerët u shtypën. 34 persona vdiqën menjëherë në stadium.

Ndërsa më tepër se 300 u dërguan në spitale për t’u trajtuar, por shumë prej tyre vdiqën gjatë trajtimit, ka thënë Afinta.

Raportohet për 129 të vdekur, prej tyre dy policë, dhe afro 180 të lënduar. Mirëpo, Afinta ka thënë se shifra e të vdekurve mund të rritet edhe më tej, pasi nga 180 të lënduar, disa janë në gjendje të rëndë.