1 perditesime
17:56

Kosova U17 mposhtet thellë nga Italia

Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen hapëse të fazës së parë kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Kosova, të mërkurën u mposht 5:2 nga Italia në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pjesa e parë e takimit të Grupit 8, përfundoi 1:0 në favor të italianëve, të cilët shënuan edhe katër gola tjetër në pjesën e dytë. Simone Pafundi (26’, 63’), Gabriele Finocchiaro (47’), Filippo Scotti (49’) dhe Mattia Mannini (82’) shënuan për Italinë. Ndërsa, golat për Kosovën i realizuan Elvir Gashijani (76’) dhe Fatjon Mulaj (84’).

Ndërkohë, ndeshja tjetër e këtij grupi, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, u mbyll me triumfin 2:1 të Finlandës ndaj Greqisë. Të gjitha ndeshjet e Grupit 8 po luhen në Kosovë. Duelin e ardhshëm, Kosova e luan të shtunën kundër Greqisë.

16:58

Kosova U17 po humb nga Italia pas pjesës së parë

Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll po humb nga Italia pas pjesës së parë të ndeshjes që po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje i takon fazës së parë kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm të kësaj gjenerate.

Kosova bën pjesë në Grupin 8, ndeshjet e të cilit do të luhen në vendin tonë. Pas 45 minutave të para, Italia është në epërsi 1:0, me golin e shënuar nga mesfushori Simone Pafundi që shënoi në minutën e 26-të.

Ndërkohë, në duelin tjetër i këtij grupi që u zhvillua më herët në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Finlanda e mposhti Greqinë me shifrat 2:1.