Sport

Sivasspori, i motivuar për ta mposhtur Ballkanin

 

Te Sivasspori janë të vendosur për ta shënuar fitoren e parë në shtëpi këtë edicion në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. E këtë fitore, ekipi i Superligës së Turqisë po e synon në përballjen kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Ballkanit. Dueli mes Sivassporit dhe Ballkanit, zhvillohet të enjten në stadiumin “Yeni Sivas 4 Eylul Stadium” dhe nis në orën 18:45. Kjo ndeshje i takon xhiros së tretë të Grupit G të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të UEFA-s. Sivasspori pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, zë vendin e dytë në grup me katër pikë të tubuara, sa i ka edhe Slavia e Pragës që është lidere për shkak të goldallimit më të mirë. Ballkani është i treti më një pikë, sa i ka edhe Cluji i Rumanisë. Për Sivassporin, kjo është ndeshja e dytë në këtë edicion të kësaj gare që e luan në shtëpi. Në të parën, barazoi 1:1 ndaj Slavias, kurse në xhiron e dytë, që u luajt para tri javësh e mposhti Clujin (1:0) në udhëtim. Kjo fitore ka motivuar ekipin e trajnerit Riza Çalimbay para duelit me Ballkanin. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Çalimbay ka insistuar se fitorja ndaj Ballkanit është shumë e rëndësishme për ekipin e tij, pasi me këtë triumf do të bënte një hap para drejt kalimit të fazës grupore.

“Besoj se nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet evropiane që i luajmë në shtëpi, atëherë sipas të gjitha gjasave, do të avancojmë me sukses në raundin tjetër. Ndeshja ndaj Ballkanit mund të them se është më e rëndësishmja për ne, por gjithashtu edhe për kundërshtarin. Çdokush mund ta nënvlerësojë këtë ekip dhe të thotë se është më i dobëti në grup por nuk është kështu. Është kampion i vendit të tij dhe duhet të respektohet maksimalisht”, është shprehur Çalimbay, i cili zbuloi se ka dërguar ndihmësin e tij në Kosovë për t’i përcjellë nga afër ndeshjet e Ballkanit. “Ne e kemi analizuar shumë mirë Ballkanin dhe mund të them se bëhet fjalë për një ekip të fortë. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe aspak e lehtë. Ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme”.