Emra të njohur të botës së futbollit do të jenë prezentë sonte në Paris, për çmimin e “Topit të Artë” për vitin 2022.
Organizatorët e “France Football” kanë thënë më herët se do të ketë modifikim sa u përket kritereve për ta fituar çmimin prestigjioz.
Çmimi do të jepet në bazë të paraqitjeve brenda një sezoni, dhe jo brenda një viti kalendarik siç kishte ndodhur më parë.
Në ceremoninë e 66-të të “Topit të Artë” do të ndahen shtatë çmime prestigjioze për të dyja konkurrencat.
Karim Benzema pritet ta fitojë këtë çmim për këtë vit. Në edicionin që përfundoi, Benzema e fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Të dielën, ai realizoi gol edhe në “El Clasico” ndaj Barcelonës, në fitoren 3:1.
Ceremonia e “Topit të Artë” nis në orën 20:30.
“Topi i Artë” është çmim që jepet nga “France Football” që nga viti 1956. Fillimisht, ky çmim u jepej vetëm futbollistëve evropianë, por nga viti 1995, edhe futbollistët joevropianë mund të nominoheshin.
Futbollisti me më së shumti “Topa të Artë” është Lionel Messi që e ka fituar atë shtatë herë. Prapa tij është Cristiano Ronaldo me pesë “Topa të Artë”.
Vetëm 10 futbollistë kanë fituar çmimin më shumë se një herë. 34 të tjerë janë shpallur më të mirët vetëm një herë në karrierën e tyre.
“Topin e Artë” për herën e parë në vitin 1956 e ka fituar legjenda e Blackpoolit, Stanley Matthews.
Holandezi Johan Cruyff u bë i pari që e fitoi çmimin tri herë rresht në vitet e 70-ta.
Francezi Michel Platini e fitoi tri herë rresht po ashtu në vitet e 80-ta.
Për herë të fundit këtë çmim e fitoi Lionel Messi në vitin 2021, duke mposhtur konkurrencën e Robert Lewandowskit dhe Jorginhos.
Messi dhe Ronaldo kanë 12 “Topa të Artë” së bashku, nga 13 edicionet e fundit.
Vetëm Luka Modriq arriti që ta ndalë serinë e tyre në vitin 2018.
Këta tre janë të vetmit lojtarë aktivë që kanë fituar “Topin e Artë”.