KB Vëllaznimi ka refuzuar fuqishëm vendimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që kishte dhënë leje për udhëtimin e tifogrupit “Torcida” për ndeshjen që Trepça e luan të dielën prej orës 17:00 në Gjakovë, në kuadër të xhiros së shtatë në Superligës. Në të vërtetë, Komisioni i Garave të FBK-së ka miratuar kërkesën e Trepçës për udhëtimin e tifozëve në mënyrë të organizuar për ta përkrahur ekipin e tyre përball Vëllaznimit. Në anën tjetër, Trepça ka shtuar se ka marrë miratimin për tifozët e saj, të cilët kanë nisur të bëhen gati për ndeshjen në Gjakovë.
“Miratohet kërkesa e KB Trepça për udhëtimin e tifozëve të këtij klubi në ndeshjen e xhiros së VII me KB Vëllaznimi. Urdhërohen KB Vëllaznimi dhe KB Trepça të veprojnë sipas dispozitave të nenit 10 të Propozicioneve të Garave”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave të FBK-së, të marrë në mbledhjen e mbajtur më 18 tetor dhe për miratimin e kësaj kërkese ky Komision ka bërë të ditur se ka marrë parasysh tri fakte. “KB Trepça ka dërguar me kohë kërkesën për rezervim të biletave dhe udhëtim të shikuesve mysafirë në mënyrë të organizuar. Në komunikim me anëtar të KG-së, zyrtarët e KB Vëllaznimi kanë shprehur brengën për sigurinë e tyre, por nuk e kanë argumentuar dhe nuk kanë dhënë dëshmi nga organet e sigurisë së udhëtimi i tifozëve mysafirë në atë ndeshje paraqet rrezik të lartë. Kemi pasur edhe praktika të tjera të udhëtimit të tifozëve mysafirë në ndeshje”.
Mirëpo, i menjëhershëm ishte reagimi i klubit gjakovar, i cili të mërkurën nëpërmjet një komunikate bëri me dije se nuk do të lejojë futjen e tifozëve të Trepçës në palestrën “Shani Nushi”. Në të vërtetë, Vëllaznimi tha se zyrtarisht ka refuzuar kërkesën për tifozët mysafirë. Sipas klubit nga Gjakova, që këtë edicion është rikthyer në elitë, vendimi për miratimin e kërkesës së Trepçës është tejet joserioz dhe skandaloz. Madje, Vëllaznimi thotë se për asnjë moment nuk është kontaktuar nga dikush prej FBK-së për të marrë një mendim nga klubi para miratimit të vendimit. Te Vëllaznimi insistojnë se shkaku që kishin lejuar tifozët e Pejës në kuadër të xhiros së katërt, kanë ende telashe me policinë për shkak të përleshjeve që kishin ndodhur jashtë palestrës. Po ashtu, insistojnë se lejimi i futjes së tifozëve pejanë u ka kushtuar me dëmtimin e ulëseve në palestër.
“KB Vëllaznimi njofton që vendimi i FBK-së për miratimin e kërkesës së Trepçës për udhëtim është tejet joserioz dhe skandaloz. Se pari, ne në asnjë moment nuk jemi kontaktuar zyrtarisht nga FBK, si dhe FBK nuk e ka marrë mendimin tonë si klub. Së dyti, pas ndeshjes së Pejës kemi hasur në probleme të cilat kanë shkaktuar përleshje jashtë palestrës dhe këto probleme janë ende si raste te hapura në Polici. Duke marrë parasysh që në palestrën tonë mbi 50 për qind të shikueseve janë gra, vajza dhe fëmijë, KB Vëllaznimi refuzon kërkesën e KB Trepçës për tifozët mysafirë. Gjithmonë duke pasur në mendje sigurinë e të gjithëve”, ka shkruar Vëllaznimi në Facebook. “Klubi ynë ka respekt të madh për KB Trepçën dhe organizimin profesional të tyre. Gjithashtu, dëshira jonë është që të aprovojmë kërkesën e tyre, por mendojmë që zgjidhja më e mirë është që të mos ketë tifozë mysafirë. Kështu që, me vendim të bordit ne zyrtarisht kemi refuzuar kërkesën për tifozët mysafirë”.
Në të vërtetë, me përjashtim të tifozëve të Pejës që ishin në Gjakovë, këtë edicion asnjë tifogrup nuk ka udhëtuar për ta përkrahur ekipin e zemrës në ndeshjet e Superligës së Kosovës. Ndalimi i tifozëve mysafirë ishte bërë vite më parë nga FBK-ja, për t’i ndaluar përleshjet mes tifozëve dhe dëmtimin e palestrave. Sezonin e shkuar, tifozët mysafirë u lejuan të udhëtonin në disa ndeshje, përfshirë edhe serinë finale të plejofit mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Këto dy skuadra këtë edicion u përkrahën nga tifozët e tyre në ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës Mbarëkombëtare që u zhvillua në Mitrovicë, turne të cilin e fitoi KB Trepça. Te skuadra nga Mitrovica kanë thënë se bazohen në përgjigjen zyrtare të FBK-së dhe tashmë po planifikojnë që t’i kenë tifozët në palestër, që do të udhëtojnë në mënyrë të organizuar.
“Ne zyrtarisht jemi njoftuar nga FBK-ja që lejohet udhëtimi i tifozëve dhe nuk kemi asnjë përgjigje tjetër zyrtare. Bazuar në këtë, ne do t’i kemi tifozët tanë në këtë ndeshje, pasi ata tashmë kanë nisur angazhimin për të udhëtuar. Përkundër, një deklarate të Vëllaznimit që po kundërshton shkuarjen e tifozëve tanë, nuk ka asgjë zyrtare se atyre u mohohet prania në palestër. Shpresojmë të marrim një përgjigje pozitive nga Vëllaznimi këto ditë, ndonëse zyrtarisht tashmë e kemi miratimin nga FBK-ja”, ka thënë drejtori i Trepçës, Izet Tahiri.
Pas dhjetë xhirove të zhvilluara deri më tani, Trepça është e treta në tabelë me dhjetë pikë, dy më shumë se Vëllaznimi që renditet i gjashti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.