Senegali ka shumë më tepër në ekip sesa thjesht një Sadio Mane. I “armatosur” me lojtarë nga të gjitha ligat kryesore të Evropës, ekipi aktual e Senegalit është për shumë njohës më i miri nga Afrika që ka shkuar ndonjëherë në një Kupë Botërore. Kjo ka rritur shpresat se Senegali mund t'i sigurojë kontinentit gjysmëfinalistin e parë të Kupës së Botës.
Mane është padyshim ylli më i madh dhe i prinë ekipit, por portieri Edouard Mendy, mbrojtësi Kalidou Koulibaly, mesfushorët Idrissa Gueye dhe Cheikhou Kouyate dhe sulmuesi Ismaila Sarr dëshmojnë se Senegali ka kualitet të madh.
Në shkurt të këtij viti Senegali e ka fituar titullin e parë të Kupës së Kombeve të Afrikës. Kampioni i Afrikës do t'i jap të gjithëve një ide më të mirë se ku ndodhet në futbollin botëror dhe nëse ka potencialin për të bërë histori kur të luajë me Holandën në ndeshjen e hapëse në Kupën e Botës. Përballet edhe me Katarin dhe Ekuadorin në kuadër të Grupit A.
Mallkimi i thyer
Senegali më në fund theu mallkimin, duke fituar Kupën e Afrikës të këtij viti që u mbajt në Kamerun. Senegali ishte vlerësuar ekipi më e mirë që nuk fitoi kurrë Kupë të Afrikës, përpara se Mane të shënonte penalltinë për të mposhtur Egjiptin në finale. Dekada të mossuksesit përfunduan dhe koha nuk mund të ishte më e mirë për ekipin, me Kupën e Botës në prag ku Senegali do ta bëjë paraqitjen e tretë. Megjithëse Senegali nuk luajti futboll atraktiv në Kupën e Afrikës, ekipi u tregua i durueshëm dhe Mane ishte në formë duke siguruar një nxitje të madhe të besimit për trajnerin Aliou Cisse dhe ekipin e tij.
Lidhja e Chelseat
Mendy dhe Koulibaly mund të jenë po aq të rëndësishëm për Senegalin. Shokët e skuadrës së Chelseat janë ndër më të mirët në botë në pozicionet e tyre dhe i japin Senegalit atë lloj fortësie që do t'i duhet në Kupën e Botës. Mbrojtja e Senegalit do t'i nënshtrohet testeve shumë më të ashpra sesa në Kupën e Afrikës. Senegali ka humbur mbrojtësin e krahut të djathtë, Bouna Sarr për Kupën e Botës shkaku i lëndimit, por ka opsione të mjaftueshme që kjo mungesë të mos jetë ndonjë problem i madh.
Njeriu kryesor
Në moshën 30-vjeçare, sulmuesi Mane është ndoshta në kulmin e karrierës. Lojtari më i mirë i gjeneratës së tij në Afrikë po përballet me shansin e fundit për të pasur një ndikim të madh në Kupën e Botës. Ai ka bërë një tranzicion të qetë nga Premier League në Bundesliga dhe tashmë po shënon rregullisht për Bayernin.
Senegali ka një numër të madh opsionesh përpara në sulm për të mbështetur Manen, duke përfshirë Ismaila Sarr të shpejtë, Boulaye Dia dhe Famara Diedhioun. Gjetja e kombinimit që nxjerr më të mirën nga Mane do të jetë vendimtare për shpresat e Senegalit për të shkuar larg në Katar.
Kujtimet e vitit 2002
Paraqitja më e mirë e Senegalit në Kupën e Botës ishte në debutim në vitin 2002, kur mundi kampionin në fuqi, Francën, duke shkaktuar një nga befasitë më të mëdha të turneut. Senegali u bë vetëm skuadra e dytë afrikane, pas Kamerunit në vitin 1990, që arriti në çerekfinale të një Botërori. Ekipi i Senegalit ka një kujtim të gjallë të momentit më të mirë sportiv të vendit në Cissen, trajnerin aktual, që drejtoi atë skuadër të Kupës së Botës 2002 në fushë me shiritin e kapitenit në krah. Cisse ka qenë në krye të Senegalit që nga viti 2015. Ai e shpërbleu këtë besim duke fituar më në fund titullin afrikan këtë vit, diçka që nuk arriti ta bënte si kapiten i Senegalit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.