Mario Balotelli është futur sërish në polemika pasi e ka akuzuar Federatën e Futbollit të Zvicrës se është e korruptuar. Sulmuesi 32-vjeçar iu bashkua skuadrës zvicerane Sion në verë në një marrëveshje me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
Starti ishte i mirë për Balotellin, i cili shënoi katër gola në tetë ndeshjet e tij të para në ligë, por ai gjithashtu është përfshirë në disa momente të diskutueshme, si kur u filmua nga një tifoz që dukej i dehur në një klub nate. Nëpërmjet një postimi në Instagram, Balotelli iu përgjigj njoftimit se ai kishte marrë një pezullim për shkak se kishte shfaqur gishtin e mesit ndaj tifozëve të FC Basel në barazimin e djeshëm 0:0.
“Federata zvicerane, nuk e di se në çfarë lloj mafie jeni të përfshirë, por lojtarët si unë nuk janë krenarë që luajnë në një ligë ku mbretëron padrejtësia, korrupsioni dhe paaftësia. Futbolli është një punë dhe ne të gjithë duhet ta marrim seriozisht, duke përfshirë edhe gjyqtarët. Nuk më intereson absolutisht se me çfarë jeni mësuar; ju absolutisht duhet të ndryshoni dhe e gjithë bota duhet të shohë mënyrën e turpshme në të cilën sillet kjo ligë. Kam bërë një gabim dhe do ta paguaj. Federata bëri një gabim? Duhet të paguajë… A gaboi gjyqtari? Edhe ai duhet të paguajë!”, ka reaguar Balotelli. 32-vjeçari nënshkroi kontratë dyvjeçare me Sionin, e cila skadon në qershor të vitit 2024. Ai ishte i frustruar ndaj Basel pasi nuk mori një goditje dënimi dhe vendosi t'u tregojë gishtin e mesit tifozëve që talleshin me të ndërsa ngrihej.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.