Sport

Portugalia kualifikohet në fazën e dytë

Portugalia kualifikohet ne 1/8 e finales ne Katar 2022
Foto: AP
 

Portugalia është përfaqësuesja e radhës që kualifikohet në fazën nokaut të Kupës së Botës në futboll. Portugezët të hënën mbrëma fituan 2:0 ndaj Uruguait për të bërë vend në fazën e dytë. Portugalia udhëheq në grupin H me gjashtë pikë. Gana i ka tri pikë, ndërsa Koreja e Jugut dhe Uruguai i kanë nga një pikë. Bruno Fernandes vendosi sfidën mes Portugalisë dhe Uruguait. Në minutën e 54-t ai shënoi për 1:0.

Në fakt Fernandes krosoi, ndërsa Cristiano Ronaldo kërceu në tentim për ta goditur topin. Fillimisht goli i është evidentuar Ronaldos, por ndërkohë FIFA ka bërë përmirësim dhe golin ia ka numëruar Fernandesit. Më pas Uruguai kishte dy raste të mira. Fillimisht goditi shtyllën përmes Maximiliano Gomezit, kurse më pas Luis Suarez gjuajti pranë portës. Fare në fund, Portugalia fitoi penallti. Nga pika e bardhë i saktë ishte Fernandes. Ai shënoi për 2:0 në minutën e 93-të. Më pas Fernandes goditi shtyllën duke mos ia dalë të kompletoi “hat-trickun”.