Pasi mori një favor nga Kosta-Rika, Përfaqësuesja e Gjermanisë tani ka nevojë për fitore kundër skuadrës nga Amerika Qendrore, të enjten, për të pasur shansin që të arrijë në fazën e nokautit në Kupën e Botës. Mirëpo as fitorja mund të mos jetë e mjaftueshme për gjermanët, që renditen në vendin e fundit të Grupit E. Përveç triumfit ndaj Kosta-Rikës, Gjermania do të varet shumë edhe nga rezultati i duelit tjetër, ai mes Japonisë dhe Spanjës.
Fitorja befasuese e Kosta-Rikës kundër Japonisë të dielën, siguroi Gjermaninë që të mos përballej me eliminim të menjëhershëm nëse do të mposhtej nga Spanja më vonë gjatë asaj dite. Me presionin e larguar, Gjermania luftoi shumë dhe u kthye për ta barazuar rezultatin në 1:1, falë sulmuesit Niclas Fuellkrug që shënoi në fund, për ta shtyrë fatin e skuadrës në ndeshjen finale të grupit që luhet në orën 20:00. Gjermania do të avanconte në 1/8 e finales me fitore nëse Spanja, po ashtu, do ta mposhtte Japoninë dhe këtë gjermanët e kanë parasysh. Kosta-Rika e ka fatin në duart e saj dhe do të avancojë në fazën e eliminimit nëse e mposht Gjermaninë.
“Ne e kemi parasysh se nuk do të jetë lehtë dhe i dimë mundësitë tona. Do të futemi për ta fituar ndeshjen, sepse nuk kemi çfarë të humbim. Ne duam të bëjmë gjëra të mëdha, pra të kualifikohemi në fazën tjetër”, është shprehur trajneri i Kosta-Rikës, Luis Fernando Suarez, të mërkurën.
Edhe një barazim do të ishte i mjaftueshëm për Kosta-Rikën për të kaluar në 1/8 e finales, por me kusht që Spanja ta mposhtë Japoninë në përballjen tjetër të grupit.
Spanja është lidere e Grupit E me katër pikë pas dy ndeshjeve, e përcjellë nga Japonia dhe Kosta-Rika që kanë nga tri pikë, ndërsa Gjermania ka vetëm një pikë.
“Ne kemi shumë modesti”, ka thënë mesfushori i Gjermanisë, Thomas Mueller, i cili foli edhe për pozitën në tabelë. “Nuk ka shumë arsye që të jemi me të vërtetë euforikë”.
Mueller ka thënë se barazimi në fund kundër Spanjës ka shfaqur ngritje të moralit brenda ekipit, shansin për të arritur fazën nokaut dhe “për t’i treguar botës se nga çfarë jemi të ndërtuar në të vërtetë”.
Gjermania ishte në një situatë të ngjashme edhe në Kupën e Botës në Rusi, ku skuadra e Joachim Loewit humbi në ndeshjen e parë nga Meksika 1:0, para se ta mposhtte Suedinë, 2:1. Trepikëshi ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e fundit të fazës grupore do t’ia siguronte fitueses në fuqi të asaj kohe vazhdimin e garës, por humbi 2:0 dhe u eliminua nga turneu.
“Tani duhet të reagojmë ndryshe”, ka thënë Mueller. “Kur bota e futbollit e shikon ndeshjen Gjermania – Kosta-Rika, mendoj se ne jemi favorit për ata që na shohin nga jashtë. Është e qartë se duhet të fitojmë. Natyrisht, ne kemi respekt për Kosta-Rikën”.
Nëse Japonia fiton apo barazon, atëherë do të vendoste goldallimi mes Gjermanisë e Japonisë apo edhe Spanjës, varësisht prej rezultatit.
“Kosta-Rika ka treguar dy fytyra në këtë kupë të botës”, ka thënë sulmuesi gjerman Fuellkrug. “Ndeshja kundër Spanjës është e vështirë për t’u vlerësuar. Ata shkaktuan paqartësi në ndeshjen e dytë kundër Japonisë. Kishin lojë më të mirë pozicionale dhe e qarkulluan topin. Jemi gati të luajmë kundër tyre në mënyrën se si ata luajtën kundër Japonisë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.