Antoine Griezmann po shijon rolin e ri, duke ndihmuar të tjerët në Kupën e Botës në vend që të shqetësohet për të shënuar gola për Francën. Griezmann është i treti në listën e shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve të vendit të tij, me 42 gola. Por në Katar ai po luan në një rol të mesfushorit të djathtë në formacionin 4-3-3 dhe ende nuk ka shënuar. Duke shkuar në 1/8 e finales kundër Polonisë, të dielën, ai nuk është aspak i stresuar për mungesën e golave.
“Nuk po e ngarkoj trurin tim duke menduar se si të shënoj. Skuadra ka nevojë për mua më shumë në zemër të fushës”, tha Griezmann të premten. “Më pëlqen të jem lidhja mes mesfushës dhe sulmit. Jam më shumë në një rol ku futem thellë dhe përpiqem të ndihmoj të tjerët”.
Ndërsa lojtarët e tjerë mund të ankohen për zhvendosjen e tyre, kjo nuk është sakrificë për Griezmannin, i cili po luan në Botërorin e tretë rresht dhe do të bëjë paraqitjen e 114-të për Francën ndaj Polonisë.
“Unë jam këtu për të bërë atë që më kërkon trajneri. Dua të jem krenar për fanellën dhe ta bëj trajnerin krenar”, tha ai. “Dua t'i bëj gjërat sa më të lehta për shokët e mi. Unë jam në formë shumë të mirë fizike dhe kur kjo ndodh ndihem më mirë në mendjen time”.
Griezmann ka qenë gjithmonë i afërt me trajnerin Didier Deschamps, i cili i qëndroi pranë kur humbi formën sezonin e kaluar. Lidhja e tyre është bërë edhe më e fortë.
“Ai është trajner shumë i besueshëm dhe kjo është një forcë e tij”, tha Griezmann. “Ai pëlqen të flasë me lojtarët dhe të dijë se si ndihemi”.
Griezmann shënoi për herë të fundit për Francën në një miqësore kundër Kazakistanit nëntorin e kaluar.
Ai mendoi se i dha fund pritjes për gol kur realizoi të mërkurën në minutën e tetë të kohës shtesë kundër Tunizisë, që ishte në avantazh 1:0. Megjithatë, goli i Griezmannit nuk u pranua pas rishikimit të VAR-it, dhe Franca u mposht nga Tunizia. Por përfundoi e para në Grupin D me gjashtë pikë. Griezmann i relaksuar, e mori me qetësi vendimin për t’ia anuluar golin.
“Mendoj se kam qenë një nga lojtarët e parë që ka pasur një gol të anuluar nga VAR-i”, kujton Griezmann, duke buzëqeshur. “Nuk munda të festoj si do të doja, por ne ishim të kualifikuar”.
Federata e Futbollit të Francës paraqiti ankesë në FIFA për shkak të golit të anuluar të Griezmannit.
Ashtu si Griezmann, sulmuesi Kylian Mbappe shënoi katër gola në Kupën e Botës 2018. Të dy shënuan në finale. Ndërsa Griezmann është i lumtur që tashmë ka dalë nga qendra e vëmendjes, një gjë e tillë për Mbappen thesht nuk është e mundur.
“Kyliani nuk është i njëjti lojtar apo personalitet siç ishte”, tha Griezmann. “Çdo gjë që ai bën do të shqyrtohet nga media. Por ai është pa të meta”.
Griezmann po mëson se si të kombinohet më mirë me Mbappen, të cilit i asistoi në golin e fitores 2:1 kundër Danimarkës në ndeshjen e dytë të grupit.
“Po filloj të kuptoj se çfarë dëshiron më shumë”, tha Griezmann.
Ndërsa Mbappë është vetëm 23 vjeç dhe mund të luajë edhe në dy Kupa Botërore të tjera, 31-vjeçari Griezmann bëri shaka duke thënë se mund të mos ishte mjaftueshëm i aftë për të luajtur në turneun e ardhshëm në vitin 2026.
“Ndoshta do të kem shtuar disa kilogramë”, tha Griezmann.
Qëndrimi i Griezmannit në turneun e këtij viti është vlerësuar nga të tjerët në skuadër.
“Griezmanni është lojtar i mirë. Ai po luan në mesfushë, por është ende po aq i mirë”, tha qendërmbrojtësi William Saliba. “Shpresoj që ai të vazhdojë të shënojë gola dhe të jenë të vlefshëm, sepse na duhen për ta mbrojtur titullin”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.