Për mesfushorin Bruno Fernandes, bashkëlojtari i tij në Kupën e Botës, Cristiano Ronaldo, është sportisti më i famshëm. Sulmuesi Joao Felix e ka përshkruar Ronaldon si “të pazëvendësueshëm”. Gonçalo Ramos, ylli 21-vjeçar i Portugalisë, nuk e ka njohur kurrë përfaqësuesen pa Ronaldon në të.
Një e ardhme pa lojtarin më të madh të vendit mund të duket një perspektivë e frikshme për brezin e ardhshëm të Portugalisë. Megjithatë, lojtarët e Portugalisë nuk po e tregojnë këtë në Kupën e Botës. Në fakt ata treguan se mund të dalin nga hija e Ronaldos, duke pasur parasysh mënyrën se si shkatërruan Zvicrën, 6:1, në 1/8 e finales, të martën.
Rezulton se ka jetë te Portugalia pas periudhës së pesë herë lojtarit më të mirë të vitit edhe nëse kjo është e vështirë për disa të imagjinohet. Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, donte një ekip që “luante me më shumë rrjedhshmëri” kundër Zvicrës dhe kjo do të thoshte se duhej ta linte Ronaldon në stol. Ronaldo është lojtari me më shumë gola (118) në futbollin ndërkombëtar.
Ishte një rrezik i madh, por nuk do të mund të kishte shkuar më mirë, të paktën kundër Zvicrës. Në të vërtetë ishte një rrezik që Erik ten Hag e ka ndërmarrë te Manchester Unitedi këtë edicion duke preferuar të ketë më shumë lojtarë të lëvizshëm në katërshen e sulmit sesa një makineri të golave, i cili ka humbur lëvizshmërinë që e ka pasur më parë. U desh deri në 1/8 e finales që Santos ta bënte atë lëvizje në Kupën e Botës, me bindjet e forcuara nga pakënaqësia e dukshme ndaj qëndrimit të Ronaldos pasi u zëvendësua në ndeshjen në grup kundër Koresë së Jugut.
Federata portugeze e futbollit këmbënguli të enjten se Ronaldo ishte i përkushtuar ndaj ekipit, duke thënë se ai kishte krijuar një “rekord unik” për shërbimin çdo ditë për vendin e tij dhe kishte një “shkallë të padiskutueshme përkushtimi ndaj ekipit përfaqësues”.
Kjo nuk do t'i garantojë domosdoshmërisht Ronaldos startimin në ndeshje në të ardhmen. Kundër Zvicrës, Ramos, i cili hyri në vend të Ronaldos për të tronditur shumë njerëz dhe shënoi “hat trick”, e zgjeroi mbrojtjen kundërshtare më shumë sesa bën zakonisht Ronaldo. Kjo i dha Felixit, duke luajtur pas Ramosit, më shumë hapësirë për të punuar dhe ai ofroi një nga paraqitjet më të mira për Portugalinë. Santos i vlerësoi cilësitë e tre sulmuesve në skuadrën portueze, Ronaldo, Ramos dhe Andre Silva. Selektori portugez tha se Ronaldo është lojtar “i cili është më i fiksuar dhe luan në një zonë më të vendosur”, ndërsa Ramos është “më dinamik”. Pra, heqja dorë nga Ronaldo kërkon një ndryshim në planin e lojës. Mund të ketë funksionuar kundër Zvicrës, por a do të funksionojë kundër Marokut në çerekfinale? Duke kërkuar të bëhet skuadra e parë afrikane që arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, Maroku pritet të mbrohet thellë kundër Portugalisë dhe të luajë në kundërsulm. Santos duhet ta bëjë lëvizjen në formacion nëse kjo është një lojë më shumë për Ronaldon, një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit, apo të qëndrojë me lojtarin që sapo pati lojën e jetës së tij, Ramosin.
Për trajnerin me përvojë, Santos, kjo nuk është situatë e keqe për të përballur dhe e lë Portugalinë si një ekip shumë të rrezikshëm në çdo rast.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.