7 perditesime
18:55

Distria Krasniqi e Armend Thaqi – sportistët më të mirë të vitit

Sportistja më e mirë e vitit - Distria Krasniqi (xhudo)

Image

Një tjetër vit i suksesshëm për xhudisten Distria Krasniqi. Ajo fitoi medalje në të gjitha garat e mëdha të vitit. Në Kampionatin Evropian ishte e treta. Ishte e treta edhe në Kampionatin Botëror të mbajtur në Tashkent.

Në Lojërat Mesdhetare në Oran e ka fituar titullin e kampionit.

Distria ka fituar medalje edhe në garat tjera të xhudos. Në Grand Prix në Portugali fitoi medaljen e artë. Në Grand Slamin në Paris ishte e dyta, ndërsa kampione ishte në Grand Slamin në Tbilisi. Në Grand Prix në Zagreb ishte e treta.

Pas marrjes së çmimit, Krasniqi ka falënderuar ekipin e saj, me në krye trajnerin Driton Kuka.

“Uroj që viti 2023 të jetë i suksesshëm për të gjithë sportistët”, ka thënë ajo.

Sportisti më i mirë i vitit - Armend Thaqi (futboll)

Image

Armend Thaqi është shquar te Ballkani në vitin historik të klubit nga Suhareka. Ka pasur paraqitje të mira gjatë kampionatit e po ashtu në garat evropiane. Kishte tri gola e dy asistime në ndeshjet në grup në Ligën e Konferencës. Shënoi gola në barazimin 1:1 me Clujin, fitoren 4:3 ndaj Sivassporit dhe humbjen 2:1 nga kjo skuadër turke. Ndërsa asistime kishte me Slavia Pragën në humbjen 3:2 dhe në atë fitore ndaj Sivassporit.

Ka qenë gjatë tërë vitit i pazëvendësueshëm te Ballkani dhe prej pikave më të forta të skuadrës. Në disa ndeshje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Ylli i Ballkanit ka thënë se ndihet i privilegjuar për çmimin.

“Ndihem i privilegjuar pasi po zgjidhem nga një prej mediumeve më të mira në vend. Jemi krenarë të gjithë për të arriturat e Ballkanit. Shpresojmë të shënojmë fitore të tjera në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

18:47

Çmimi “Majlinda Kelmendi” i ndahet boksieres Donjeta Sadiku

Image

Boksi mburret me sukseset e të kaluarës, ndërkohë që gradualisht ka nisur t’u kthehet medaljeve. Dy nga medaljet e pritura shumë gjatë, nga kampionatet botëror dhe evropian, erdhën falë luftërave të pakompromis të Donjeta Sadikut. Pa asnjë dyshim, njëra prej sportisteve më të dalluara në vitin që po e lëmë pas.

Si e tillë, Donjeta s’kishte ndryshe pos të ishte konkurrente për çmimin Sportistja më e mirë e vitit. Por Donjeta, me përpjekjet, mundin dhe suksesin e treguar, ka qenë në fakt, frymëzim për sportistet dhe sportin.

Për këtë arsye, KOHA ka vendosur që çmimi që mban emrin e kampiones së parë olimpike, “Majlinda Kelmendi”, t’i ndahet Donjeta Sadikut, për frymëzimin dhe avancimin e sportit.

Pasi mori çmimin, Sadiku ka thënë falënderuar bashkëpunëtorët ndërsa ka thënë se shpreson që më 2023 t’i kthejë medaljet në të arit.

18:43

Mirënjohja Post Mortem i dedikohet Xhevdet Pecit

Image

Sipas traditës shumëvjeçare, KOHA, edhe sivjet ka ndarë mirënjohjen Post Mortem, si vlerësim për kontributin e atyre që nuk janë më me ne.

Sivjet kjo mirënjohje i dedikohet njërit nga anëtarët e gjeneratës së artë të boksit kosovar, Xhevdet Peci.

18:38

Klubi më i mirë i vitit (meshkujt) - Ballkani (futboll)

Image

Ballkani kishte një vit historik. E fitoi titullin e parë të kampionit të Kosovës në futboll me 12 pikë më shumë se përcjellësja e parë, Drita. Debutoi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por nuk e kaloi raundin e parë. Vazhdoi në Ligën e Konferencës ku kaloi raundin e dytë kualifikues, raundin e tretë, plejofin dhe kështu arriti në fazën e grupeve. Në grupe thuajse deri në fund ishte në garë për avancim tutje.

Për herë të parë një skuadër kosovare e futbollit ka luajtur në fazën grupore të kupave evropiane.

Stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e dytë, me pikë të barabarta me lideren, Dritën.

18:34

Klubi më i mirë i vitit (femrat) - Istogu (hendboll)

Image

Istogu e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës. Ka fituar po ashtu Kupën e Kosovës, ndërsa është edhe kampion vjeshtor. Gjatë tërë vitit kalendarik nuk e ka pësuar asnjë humbje në garat vendore. Ka vetëm fitore.

Garoi në Kupën Evropiane në hendboll. Ndeshjen e parë me Çairin e Shkupit e fitoi 34:33, por nuk avancoi tutje pasi ndeshjen e dytë e humbi 33:26.

18:29

Sportisti më i mirë i ri i vitit - Dardan Cena (xhudo)

Dardan Cena ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos për juniorë. Ai u rendit i treti në Evropianin U21 në Pragë të Çekisë, më 15 shtator.

Dardani ishte i pari në turneun “Pokal Lendave U21” në Slloveni. Në korrik, u rendit i treti në Kampionatin Ballkanik.

Në Evropianin e juniorëve, shënoi pesë fitore, ndërsa e pësoi një humbje. Nisi me tri fitore e më pas humbi në çerekfinale. Vazhdoi në repesazh me dy fitore të tjera.


Punëtori sportiv i vitit – Driton Kuka, trajner i xhudos

Puna me Driton Kukën është garanci për sukses. Nxënësit e Driton Kukës edhe këtë vit kanë fituar medalje në të gjitha ngjarjet e mundshme: në Kampionatin Botëror, Kampionatin Evropian, Lojërat Mesdhetare e të tjera.

Sukseset gjatë 2022-s, sipas vlerësimit të KOHËS, ia merituan Driton Kukës sërish dhe sërish, çmimin “Punëtor Sportiv i Vitit”.

18:27

Sportistja më e mirë e re e vitit - Rinesa Osmani (karate)

Image

Karateistja Rinesa Osmani është shpallur Sportistja më e mirë e re e vitit. Rinesa Osmani ka garuar në Kampionatin Botëror të karatesë për kadetë, juniorë dhe garuesit e grupmoshës U21. Garoi te junioret në kategorinë deri 59 kilogramë dhe u rendit e pesta. I kishte tri fitore e dy humbje.

Së fundi fitoi medaljen e artë në një garë në Youth League në Itali.

18:23

KOHA shpall më të mirët, nis ceremonia “Sportisti i Vitit 2022”

Image

Ka nisur ceremonia “Sportisti i Vitit 2022”, organizuar nga Grupi KOHA. Shtëpia më e madhe mediale në vend, për herë të 24-t sot shpall sportistët më të mirë të vitit.

Grupi KOHA mburret me traditën e gjatë, më të gjatën në vend, të shpalljes së më të mirëve të vitit në sport. Andaj edhe angazhohemi që çmimet të shkojnë te më meritorët.

Si zakonisht, redaksia e sportit i bën nominimet, ndërsa juria, e përbërë nga njerëz të sportit dhe me bagazh në këtë lëmi, e bën përzgjedhjen e më të mirëve.

Prej vitit 1997, kur “KOHA Ditore” shpalli më të mirët e vitit, mënyra e përzgjedhjes ka ndryshuar disa herë, varësisht nga rrethanat dhe zhvillimet në sportin e Kosovës. Por asnjëherë nuk është hequr dorë nga përkushtimi që çmimet të shkojnë tek ata që i meritojnë.

Juria për këtë vit përbëhet nga: Linda Shala, kryetare tradicionale e jurisë; Afërdita Fazlija, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS; Kushtrim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës; Kemajl Goca, gazetar i sportit në Bota Sot; Erdin Hashani; trajner i futbollit dhe analist sportiv në KTV; Tahir Sopi, gazetar i sportit në Grupin KOHA dhe Faton Polisi, gazetar i sportit në Grupin KOHA.

Juria do t’i përzgjedhë më të mirët në gjashtë kategori: sportistja më e mirë e re e vitit, sportisti më i mirë i ri i vitit, klubi më i mirë i vitit (femrat), klubi më i mirë i vitit (meshkujt), sportistja më e mirë e vitit, sportisti më i mirë i vitit.

KOHA ndan edhe disa çmime të veçanta për të cilat nuk vendos juria profesionale.

Të nominuarit

Sportistja më e mirë e re e vitit

Erza Muminoviq (xhudo)

Kiana Kryeziu (skijim)

Rinesa Osmani (karate)

Sportisti më i mirë i ri i vitit

Muhamet Ramadani (atletikë)

Lindon Emërllahu (futboll)

Dardan Cena (xhudo)

Klubi më i mirë i vitit (femrat)

EP COM Hajvalia (futboll)

Penza (basketboll)

Istogu (hendboll)

Drita (volejboll)

Klubi më i mirë i vitit (meshkujt)

Ballkani (futboll)

Drita (futboll)

Golden Eagle Ylli (basketboll)

Besa Famgas (hendboll)

Peja (volejboll)

Sportistja më e mirë e vitit

Donjeta Sadiku (boks)

Laura Fazliu (xhudo)

Distria Krasniqi (xhudo)

Leonora Demaj (hendboll)

Erëleta Memeti (futboll)

Adelajda Prenga (volejboll)

Astera Tuhina (basketboll)

Sportisti më i mirë i vitit

Akil Gjakova (xhudo)

Shpejtim Bajoku (boks)

Egzon Gjuka (hendboll)

Erjon Kastrati (basketboll)

Albin Tahiri (skijim)

Armend Thaqi (futboll)

Albion Rrahmani (futboll)