Përderisa duket se vetëm një kolaps total mund ta ndalë Napolin nga fitimi i titullit të parë në Serie A në 33 vjet, gara për tri vendet e mbetura që dërgojnë në Ligën e Kampionëve nga Italia po intensifikohet.
Fitorja e Napolit ndaj Salernitanas të shtunën e shkuar, e kombinuar me humbjet e Milanit dhe Interit, i ka dhënë skuadrës nga jugu një epërsi prej 12 pikësh në krye të renditjes. Vetëm tri pikë ndajnë pesë skuadrat menjëherë poshtë Napolit. Milani i vendit të dytë ka 38 pikë, Lazio, Interi dhe Roma kanë nga 37 dhe Atalanta ka 35.
Milani do të shpresojë t'i japë fund një ecurie të tmerrshme kur e pret Sassuolon të dielën, më pak se një javë nga humbja 4:0 nga Lazio, që e la skuadrën pa fitore në pesë ndeshjet e fundit. Kjo seri ka bërë që Milani të eliminohet prej Kupës së Italisë nga Torino përpara se të barazonte 2:2 në Lecce. Ndoshta humbja më e dhimbshme erdhi javën e kaluar kur Milani u mund nga rivali i qytetit, Interi, 3:0, në Superkupën e Italisë që u zhvillua në Arabinë Saudite.
“E kemi humbur Superkupën dhe kemi pranuar 11 gola në tri ndeshje. Jemi në një moment shumë delikat dhe në të njëjtën kohë jemi në pozitën e dytë, të cilën duhet ta ruajmë deri në fund të sezonit. Është e qartë që po kalojmë një periudhë të vështirë dhe shpresoj që ekipi të reflektojë”, ka thënë drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini.
Herën e fundit kur Milani ishte në një periudhë negative, pothuajse e shkarkoi trajnerin Stefano Pioli, në fillim të vitit 2020. Në fakt, Pioli kishte vetëm pesë muaj në krye të ekipit dhe Milani kishte nisur negociatat me Ralf Rangnickun, por në fund ndërroi mendje. Kjo bëri që Pioli ta udhëheqë ekipin drejt triumfit në Serie A sezonin e shkuar, duke u kthyer edhe në Ligën e Kampionëve pas një pritjeje prej shtatë vjetësh.
“Gjërat nuk po funksionojnë kohët e fundit dhe për këtë jam i shqetësuar. Po besoj që ekipi do të reagojë në ndeshjen me Sassuolon, pasi patjetër duhet ta ruajmë pozitën aktuale në tabelë. Këtë e kemi parasysh të gjithë në klub”, ka theksuar Pioli.
Në rast të fitores ndaj Sassuolos, Milani ka gjasa të zvogëlojë epërsinë e Napolit, pasi ekipi i Luciano Spallettit të dielën mbrëma përballet me skuadrën e Romës, e cila ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Juventusi do të tentojë ngritjen pasi u dënua me marrjen e 15 pikëve si pasojë e çështjeve ligjore. Dënimi bëri që ekipi nga Torino të bjerë në mes të tabelës.
Juventusi këtë vikend përballet me Monzan, ndërsa gjasat janë të mëdha që për herë të parë këtë sezon të paraqitet mesfushori Paul Pogba që është rikuperuar tërësisht nga lëndimi i gjurit.
Teknologjia gjysmë e automatizuar për pozitë jashtë loje (SAOT) do të bëjë “debutimin” në Serie A këtë fundjavë pasi u përdor në Kupën e Botës “Katari 2022” dhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve të këtij sezoni.
Serie A e Italisë do të bëhet liga e parë e madhe që do të zbatojë teknologjinë, me shpresën se do t'u japë fund gabimeve që ndodhën në pjesën e parë të këtij kampionati.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.