Bayern Munichu ka regjistruar barazimin e tretë rresht në elitën e futbollit të Gjermanisë.
Kampioni në fuqi i Bundesligës dhe skuadra më e suksesshme gjermane, të shtunën në “Allianz Arena” barazoi 1:1 me Eintracht Frankfurtin, dhe kështu e rrezikon edhe më shumë titullin e kampionit sivjet.
Leroy Sane i kaloi vendësit në epërsi në minutën e 34-t, kur u asistua nga Thomas Mueller.
Shifrat i barazoi sulmuesi francez Randal Kolo Muani, në minutën e 69-të.
Futbollisti nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, ishte në bankën rezervë te Bayerni, ndërsa portieri Diant Ramaj, nuk u inkuadrua te Frankfurti.
Bayerni pas 18 xhirove të zhvilluara zë pozitën e parë me 37 pikë, vetëm një më shumë se Union Berlini.
Eintracht Frankfurti ka 32 pikë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.