Klubi i basketbollit, Vëllaznimi e ka fituar duelin e xhiros së 20-të në udhëtim te Ponte Prizreni. Skuadra nga Gjakova e fitoi duelin e parë pas tri disfatave të njëpasnjëshme, ndërsa Ponte Prizreni që kishte gjashtë disfata para fitores në xhiron e kaluar, u mposht sërish në vendin e vet.
Takimi i zhvilluar të shtunën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, u mbyll me shifrat 91:86 në të mirë të Vëllaznimit, pas vazhdimit prej pesë minutash. Prizrenasit e nisën mirë ndeshjen dhe e fituan çerekun e parë me një pikë epërsi, 17:16.
Megjithatë, seria 11:0 në çerekun e dytë e skuadrës gjakovare bëri që mysafirët të kthehen në lojë e ta fitojnë periudhën e dytë 24:20.
Në çerekun e tretë, Vëllaznimi krijoi epërsi edhe deri në 16 pikë, por nikoqiri nuk u dorëzua dhe luftoi deri në fund, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime. 78:78 ishte rezultati pas periudhës së katërt.
Në vazhdimin prej pesë minutash, më të koncentruar ishin basketbollistët e Vëllaznimit që fituan 13:8.
Jordan Harris ishte më meritori për fitoren e Vëllaznimit. Ai e mbylli ndeshjen me 35 pikë, katër kërcime e gjashtë asistime. Kontribut të madh dha edhe Damonte Dodd me 10 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime. Te prizrenasit e Pontes më i miri mbi parket ishte Adam Grant me 21 pikë, tetë kërcime e tri asistime. Megjithatë, ato nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.
Vëllaznimi ka 28 pikë pas 20 ndeshjeve të luajtura. Ponte Prizreni në vendin e parafundit ka një pikë më pak.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.