Sulmuesi shqiptar, Anis Mehmeti është transferuar te skuadra e Championshipit të Anglisë, Vristol City. 22-vjeçari të premten është zyrtarizuar te Bristoli, ekip me të cilin ka firmosur kontratë për tri vjet e gjysmë.
Ai te Bristoli është transferuar nga Wycombe Wanderers, ekip që bën gara në kategorinë e tretë të Anglisë. Detajet e marrëveshjes mes klubeve nuk janë publikuar, ndërsa Mehmeti te Bristoli do ta bartë fanellën me numrin 11.
Mehmeti ishte pjesë e Wycombes prej vitit 2020, ndërsa në total ka shënuar 19 gola dhe ka asistuar 9 herë në 97 ndeshje. Vetëm këtë sezon, Mehmeti ka realizuar nëntë gola në 27 ndeshje kampionale. Si i ri, Mehmeti ka qenë pjesë e akademive të Fulhamit dhe Tottenhamit, përpara se t’i bashkohet Norwich Cityt në vitin 2017.
Ai është pjesë e Përfaqësueses U21 të Shqipërisë për të cilën ka shënuar një gol në tri paraqitje. “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi të madh dhe me padurim pres të luaj. Dua të fitoj dhe ta ndihmoj klubin të promovohet në Premier League.
Ky është klub i Premier Leagues dhe unë dua të shënoj gola dhe t’i fitojë ndeshjet me Bristolin”, ka thënë Mehmeti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.