Mesfushori ofensiv, Nedim Bajrami, është lojtar i ri i Sassuolos. Sassuolo garon në Serie A, ndërsa 23-vjeçari është huazuar nga Empoli te kjo skuadër.
Sassuolo, sipas njoftimit, e ka obligim që ta blejë Bajramin në fund të huazimit, përkatësisht në verë. Që blerja të bëhet obligative, duhet të përmbushen disa kushte, ka njoftuar Empoli.
Bajrami është i lindur në Zuerich të Zvicrës, ndërsa luan për Shqipërinë. Tashmë ka arritur në shifrën e dhjetë paraqitjeve.
Me Empolin, Bajrami këtë edicion i ka luajtur 19 ndeshje në Serie A. Ka një gol e një asistim. Po ashtu e ka një paraqitje në garën për Kupë të Italisë.
Mediat italiane kanë raportuar se transferimi i Bajramit do t’i kushtojë Sassuolos rreth gjashtë milionë euro.
Bajrami është produkt i akademisë së klubit zviceran Grasshopper. Në gusht të vitit 2019 ai kaloi tek Empoli si huazim. Më pas skuadra italiane e transferoi plotësisht. Bajrami ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, ndërsa në vitin 2021 vendosi që në nivelin senior të luajë për Shqipërinë.
Tek Empoli në dy edicionet e para ka luajtur në Serie B. Më pas skuadra kaloi në Serie A. Kampionatin e kaluar ai i kishte 35 paraqitje në elitën italiane, gjatë të cilave realizoi gjashtë gola e shtatë asistime. Në Superligën e Zvicrës i ka 69 paraqitje, në Serie A 54 e në Serie B ka luajtur 64 ndeshje.
Këtë edicion nuk është paraqitur rregullisht në përbërjen bazë dhe ka vendosur për mjedis të ri.
Sassuolo renditet e 16-ta me 20 pikë nga 20 ndeshje. Ndërkohë Empoli është i dhjeti me 26 pikë.
Te Sassuolo, Bajrami do ta ketë trajner Alessio Dionisin. Me të ka punuar tek Empoli më herët.
“Çdo gjë ka përfunduar dhe jam i lumtur. Do të bashkohem me ekipin nesër”, ka thënë Bajrami me të firmosur.
“Bashkohem me Dionisin, jam këtu edhe për atë po ashtu. Kemi folur mbrëmë, jam i lumtur që do të punoj me të sërish. Kam folur edhe me Pinamontin, me të cilin kam luajtur vitin e kaluar. Do ta takoj edhe atë”, ka theksuar Bajrami.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.