3 perditesime
15:59

Mallorca e Muriqi me fitore të madhe ndaj Real Madridit

Mallorca e Vedat Muriqi kanë shënuar fitore të madhe të dielën. Në kuadër të xhiros së 20-të të La Ligas, Mallorca e mposhti Real Madridin me rezultatin 1:0. Goli vendimtar u shënua në minutën e 13-të.

Pas një krosimi, Vedat Muriqi u shkëput lartë në zonë. Kërceu, ndërsa në duel ishte me Nachon. Topi përfundoi në rrjetë dhe Muriqi nisi festën. Fillimisht goli iu numëra atij, por pas rishikimeve të shumta u pa që ishte autugol i Nachos. Muriqi nuk kishte prekur topin me kokë.

Topi ishte devijuar nga Nacho dhe kishte përfunduar në rrjetë. Muriqi kompletoi ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve te Mallorca. Ka kontribuuar në të gjitha pjesët e fushës. Mallorca është e dhjeta me 28 pikë. Ndërkohë Real Madridi ka bërë hap tjetër të gabuar në garën për titull.

Mbetet në pozitën e dytë me 45 pikë. Marco Asensio ka humbur penallti për Real Madridin në minutën e 59-të. Goditjen e tij nga pika e bardhë e ndali portieri i Mallorcas.

14:49

Mallorca në epërsi ndaj Real Madridit pas pjesës së parë, autogol i Nachos

Mallorca është në epërsi prej 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Real Madridit.

Ndeshja i takon xhiros së 20-të të La Ligas. Nacho shënoi autogol në minutën e 13-të. Në fakt Nacho ishte në duel në ajër me Vedat Muriqin.

Fillimisht nga La Liga dhe gjitha mediat goli iu numërua Muriqit, që festoi pasi topi përfundoi në rrjetë. Por pas rishikimeve të shumta u pa që Muriqi nuk e ka prekur topin dhe se ishte Nacho që me devijim me kokë e dërgoi atë në rrjetën e tij.

14:39

Marca: Goli nuk ishte i Muriqit, ishte autogol

Gazeta e madhe spanjolle, Marca, nuk ia ka numëruar golin Vedat Muriqit në ndeshjen ndaj Real Madridit.

Fillimisht goli iu numërua Muriqit, por sipas Marcas, sulmuesi kosovar nuk e ka prekur topin. Ai ka kërcyer lartë, por topin e ka dërguar në portën e tij Nacho.

Edhe në videoincizime duket që Nacho godet topin, që shkon fillimisht pak mbi kokën e Muriqit.

14:19

Muriqi shënon gol sërish ndaj Real Madridit

Vedat Muriqi ka shënuar një tjetër gol ndaj gjigantit spanjoll, Real Madridit.

Muriqi në minutën e 13-të ka realizuar për epërsinë e Mallorcas ndaj madrilenëve. Për sulmuesin e Kosovës ishte goli i nëntë sezonal.

Daniel Rodriguez harkoi në zonë, ndërsa pas gjuajtjes së Muriqit, u duk se mbrojtësi Nacho preku topin pas tij.