MKRS-ja zbulon vlerën e pikës për sportet ekipore dhe individuale
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar të mërkurën vlerën financiare të pikës për sportet kolektive dhe individuale.
Për Federatat e Kategorisë A të sporteve ekipore dhe individuale, vlera e pikës është 2.600 euro, 400 më shumë se në vitin e kaluar.
Ndërkohë për 300 euro është rritur vlera financiare e pikëve për federatat e Kategorive, B, C dhe D.
Vlera e pikës për Kategorinë B është 1.800 euro, për Kategorinë C 1.500 euro, kurse 1.300 euro për Kategorinë D.
“Për vetëm dy vite, mbështetja direkte e federatave sportive është rritur rreth 128% apo 2.5 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Vlera e koeficientit të kategorisë D, tejkalon vlerën e koeficientit të sporteve individuale të kategorisë A në vitin 2021. Financimi i sportit përmes kategorizimit është vetëm njëri kanal i financimit direkt nga MKRS. Projektet e veçanta, sponsorizimi, thirrjet publike, shpërblimet e përhershme, shpërblimet për rezultate dhe bursat olimpike, janë disa nga format e tjera të financimit të komunitetit sportiv në vend", shkruan në postimin e zëvendësministres së MKRS-së, Daulina Osmani.