Sport

Ancelotti pret që Benzema, Kroos e Modriq të mbesin te Reali

 

Carlo Ancelotti beson se sulmuesi Karim Benzema, si dhe mesfushorët Luka Modriq e Toni Kroos do të qëndrojnë në Real Madrid edhe për sezonin e ardhshëm, tha trajneri italian të premten në një konferencë për shtyp. Të tre futbollistëve, që vlerësohen si të rëndësishëm te klubi madrilen, u skadon kontrata në fund të këtij sezoni. Mirëpo, Ancelotti zbuloi dhe konfirmoi se mesfushorët Modriq dhe Kroos tashmë janë në negociata me krerët e klubit për rinovimin e kontratës dhe marrëveshja është pranë finalizimit. Po ashtu Ancelotti tha se e njëjta gjë do të bëhet edhe me sulmuesin francez, Benzeman, që ka vazhduar me formën e shkëlqyer edhe këtë edicion.

Benzema iu bashkua Real Madridit nga Lyoni në vitin 2009, ndërsa Modriqi nga Tottenham në vitin 2012. Kjo dyshe fitoi pesë trofe të Ligës së Kampionëve me Real Madridin mes shumë trofeve të tjerë. Kroos iu bashkua Real Madridit nga Bayern Munichu në vitin 2014, duke fituar Championsin në katër raste me “Los Blancos”. I pyetur për Kroosin dhe Modriqin, Ancelotti tha se beson se do të gjendej një “zgjidhje”.